Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar ndaj deklaratës së Artane Rizvanollit për ndalimin e blloqeve të KEK-ut dhe rritjen e importit të energjisë këtë dhe vitin e ardhshëm.
Shala për GazetaBlic tha se tash e gjashtë vite menaxhimi i sistemit energjetik të Kosovës mbetet i njëjtë.
“Tash e 6 vite e kemi të njëjtën retorikë politike boshe. Me këtë politikë janë menaxhuar dhe vazhdojnë të menaxhohen termocentralet e Kosovës dhe i tërë sistemi energjetik i vendit, pa asnjë rezultat konkret. Me shumë afera korruptive e projekte të dështuara,” tha Shala.
Ai kritikoi qeverinë për vazhdimin e investimeve në blloqet e vjetra të termocentralit A, të cilat tashmë do të duhej të mbylleshin për shkak të moshës, duke i quajtur këto politika të paafta dhe jo-planifikuese.
“Ironia më e madhe e kësaj qeverie është kur deklaron se po investon për gjeneratat e ardhshme. Pra, po investon për gjeneratat e ardhshme në blloqet e termocentralit A, është më shumë se ironi, e paaftësi, e jo planifikim. Si ka mundësi që një qeveri që fatin energjetik të vendit për gjeneratat e ardhshme e bazon në blloqet e termocentralit A, të cilat tashmë do të duhej të mbylleshin për shkak të moshës së kaluar,” shtoi ai.
Shala paralajmëroi se si pasojë e këtyre politikave, qytetarët do të përballen me rritje të çmimeve të energjisë që nga muaji mars, ndërsa akuzoi qeverinë për krijimin e një sistemi që favorizon interesat e mafies energjetike rajonale mbi qytetarët e Kosovës.
“Kjo qeveri që protestonte dhe e dështoi ndërtimin e kapaciteteve të termocentralit të ri, tash derdh pa kontroll paranë publike në blloqet e termocentralit A, e në anën tjetër i ndjek dhe i largon nga Kosova investitorët strategjikë për energjinë e pastër, energjinë me erë dhe atë me diell.”
“Pra kjo qeveri, e cila tashmë, sidomos ditëve të fundit po orvatet që edhe burimet e importit t’i mbulojë e t’i kamuflojë në emër të bursave rajonale (gjoja se po importojmë nga bursat, dhe jo nga kompanitë sllave). E kjo qeveri me këto politika qytetarëve tashmë ua ka dizajnuar dhe kalkuluar që në muajin mars edhe një herë ta rritë çmimin e energjisë. Kjo qeveri është ajo që dikur protestonte, e thyente kundër KEDS e KESCO, e sot i favorizon ato me të gjitha mjetet juridike e profesionale që ka, me të gjitha institucionet dhe rregullatorët që disponon shteti. Edhe kur kompanitë si KEDS, KESCO e KOSTT vonohen për të paraqitur pranë rregullatorit hyrat e lejuara maksimale, qeveria dhe rregullatori kujdesen dhe e vazhdojnë afatin e paraqitjes së kërkesave nga këto kompani. Sepse nëse këto nuk vijnë dhe nuk aplikojnë, nuk mund të rritet çmimi, nuk mund të rritet importi, dhe mund të dëmtohet mafia energjetike rajonale, e lidhur fort me pushtetin në Kosovë”, tha Shala për GazetaBlic.
Janina Ymeri i reagon Artane Rizvanollit: Edhe pas riparimeve do importojmë prapë


