Gazeta spanjolle, “El Mundo Deportivo”, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Rey Manaj, që para pak vitesh ka qenë pjesë e Barcelonës B, duke pasur mundësinë që në disa raste të stërvitej me lojtarë të mëdhenj të ekipit të parë të “blaugranave”.
“Si një Feniks, sulmuesi shqiptar Rey Manaj është ngritur nga hiri dhe synon të bëhet një nga lojtarët më të spikatur të Shqipërisë për “Euro 2024”, i drejtuar nga një fytyrë e njohur për tifozët e Barcelonës, Sylvinho.
Nuk ka qenë aspak fushë me lule për sulmuesin, i cili madje kaloi 6 muaj pa ekip, pasi ndërpreu kontratën me Watfordin në kampionatit anglez, në shkurt 2023. Ai që ishte lojtar i Barcelonës B nga viti 2019 deri në verën 2021 diti të përfitonte nga “treni i fundit” që iu prezantua për të vazhduar në elitën evropiane.
Në vitin e parë në ligën turke, ai ka arritur të përfundojë një sezon mbresëlënës, duke marrë parasysh numrin e golave të shënuar. Në fakt, Rey Manaj e ka përfunduar sezonin si golashënuesi i tretë më i mirë në elitën e futbollit turk, me 18 gola, pas dy golashënuesve të klasit botëror si Mauro Icardi (25 gola) dhe Edin Dzeko (21 gola).
Shifrat e sulmuesit shqiptar këtë sezon janë më inkurajueset: në 36 ndeshje që ka luajtur mes kampionatit dhe kupës, ai ka shënuar 22 gola (ka dhënë dhe 3 asiste). Pra, ka qenë thelbësore për Sivasspor, që skuadra e tij të përfundonte në vendin e shtatë në renditje. Puna e mirë si ‘9’ në Turqi i ka mundësuar Manajt të futet në listën e kombëtares shqiptare për Europianin e kësaj vere, rivalin e Spanjës në grupin B.
Sulmuesi ishte në prag të një rekordi me ekipin e parë, në vitin e parë të Ronald Koeman si trajner aty, më 2021. Manaj përfundoi një sezon të mirë me Barcelonën B, çka nuk kaloi pa u vënë re nga trajneri holandez, i cili e rekrutoi atë për përgatitjet parasezonale. Për shkak të situatës së vështirë financiare të klubit, u spekulua rreth një promovimi të mundshëm të shqiptarit në ekipin e parë.
Me situatën e tij në harresë, sulmuesi përfundoi duke u larguar nga “Can Barça” në ditën e fundit të tregut të transferimeve për te Spezia, atëherë në Serinë A, si huazim. Performanca e tij ishte diskrete dhe përfundoi duke u kthyer në Barcelonë, më pas u largua si lojtar i lirë tek Watford.
Në kampionat, ai gjithashtu nuk arriti të tregonte veten dhe një dëmtim në mes të sezonit çoi në ndërprerjen e kontratës me anglezët, me marrëveshje të përbashkët.
Pas 6 muajsh pa ekip, verën e kaluar mbërriti si lojtar i lirë te Sivasspori. Tashmë, në moshën 27-vjeçare ka arritur ta rinisë karrierën e tij dhe të fitojë interesin e skuadrave nga Franca dhe Spanja. Në klubin e tij vlerësohet 15 milionë euro”