Lajme

“Feniksi i kombit” – Haraqija kujton Rugovën: Ai nuk do të vdes kurrë

01/21/2025 16:11
nga:G C

Ish-ministri i Kulturës nga radhët e LDK-së, Astrit Haraqija, ka nderuar sot Presidentin historik Ibrahim Rugova në 19-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, raporton GazetaBlic.

Ai e ka cilësuar Rugovën si “Feniksin e popullit shqiptar”, një lider që riktheu dinjitetin kombëtar dhe ndihmoi në ndërtimin e urës drejt lirisë dhe paqes.

Haraqija ka theksuar se Rugova ishte një udhëheqës i madh, simbol i shpresës dhe qëndresës, dhe një model për brezat e ardhshëm.

Ai ka shprehur mirënjohjen e tij të përjetshme për mundësinë e punës së përbashkët me Presidentin Rugova dhe ka theksuar se kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në zemrat e shqiptarëve.

E plotë pa ndërhyrje:

Feniksi i popullit shqiptar

Sot, në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit historik

Dr. Ibrahim Rugova, përkulemi me respekt të thellë para figurës së tij, e cila mbetet një dritë e pashuar për kombin shqiptar.

Presidenti Rugova nuk ishte thjesht një udhëheqës politik, ai ishte simbol i shpresës, urtësisë dhe qëndresës.

Si një Feniks që rilind nga hiri, ai e riktheu dinjitetin kombëtar të shqiptarëve në kohët më të errëta dhe ndërtoi urën drejt lirisë dhe paqes.
Kisha nderin dhe fatin e jashtëzakonshëm që të punoja krah për krah me këtë kolos të historisë sonë kombëtare.

Nga drejtimi i forumit në degë, pjesëmarrja në radhët e UÇK-së, shërbimi si kryetar i qeverisë lokale, drejtimi i degës së LDK-së, deri te angazhimi si ministër dhe anëtar i Kryesisë Qendrore, ai gjithmonë më mbështeti dhe më ofroi besimin e tij të plotë.

Ai më trajtonte jo thjesht si bashkëpunëtor, por si një “të përkëdhelur” të tij – një vlerësim që e mbaj si amanet përjetësisht.

Në çdo takim me të, ndjeja urtësinë dhe madhështinë e një lideri që e shihte kombin tonë përtej sfidave të ditës, duke ndërtuar një vizion të qartë për të ardhmen.

Ai mësonte jo vetëm me fjalë, por edhe me shembullin e tij – një model i qetësisë, besimit në Zot dhe besimit në popullin e tij.

Sot, kujtimi i Presidentit Rugova mbetet i gjallë, jo vetëm në zemrat tona, por në çdo hap të lirisë që ai e gdhendi me vizionin e tij.

Ai na mësoi se kombet e mëdha ndërtohen me paqe dhe dashuri për njëri-tjetrin, dhe si Feniks, ai do të vazhdojë të frymëzojë brezat që vijnë.
Presidenti Rugova nuk vdes kurrë.

Ai mbetet i përjetshëm në zemrat e të gjithë shqiptarëve, si udhërrëfyesi ynë në rrugën drejt bashkimit dhe përparimit kombëtar.

Lavdi veprës dhe kujtimit të përjetshëm të Presidentit tonë historik!

Zotii bekoftë Presidentin Rugova
Zoti bekoftë familjen Rugova

Me mirënjohje të përjetshme dhe krenari që isha pjesë e rrugëtimit të tij 🙏