Lajme

“Fëmija m’kanë shti me kajtë, s’kam pasë pare”, punëtorët teknikë pa paga

11/24/2024 12:10
nga:G B

Mbeturinat kanë zënë vend kudo në shkollën fillore “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

E, nxënësit janë ata që së paku po e bëjnë hedhjen e bërllokut nga shportat e klasës, transmeton klankosova.tv.

Krejt kjo situatë vjen si shkak i grevës që e kanë nisur të mërkurën 7 punëtorë teknikë për higjienë në këtë shkollë, e të cilët i përkasin sektorit privat.

Kryepunëtori, Fazli Idrizi thotë se nuk e kanë marrë as pagën e tetorit dhe të dhjetë ditëve të fundit të shtatorit, teksa tregon që operatori ekonomik që ua ka mbetur borxh të njëjtit i  ka skaduar kontrata me komunën me 10 nëntor dhe se nuk ju përgjigjet në thirrjet e tyre, ashtu sikurse edhe komuna.

Në mesin e këtyre 7 punonjësve janë edhe dy çifte bashkëshortore, ku siç thanë ata gjendje e tyre është e rënduar si kurrë më parë e me një mirëqenie të dobët.

Madje këta shprehën se po shiten sikurse kafshët nga një kompani në tjetrën, teksa nën lot thonë nuk kanë ndonjë monedhë për fëmijët e tyre në shkollë.

E, kryepunëtori Idrizi tregon se tashmë ka mbetur në terr e pa rrymë, meqë sipas tij nuk me çka ta paguajë këtë obligim.

Ju flet Prishtina e ka adresuar këtë problem tek komuna përfshirë edhe drejtorinë e arsimit e të cilët janë përgjigjur shkurtë se do ta zgjedhin shpejtë këtë problem.