Kryetari i Komunës së Zubin Potokut , Izmi Zeqiri tha se punohet në kanalin e Ibër Lepencit, në devijimin ku do të lidhë rrjedhën e ujit derisa të sanohet dhe të vie në gjendje të rregullt ky kanal. Ai tha se mund të ketë reduktime të vogla, por sipas tij, ka ujë të mjaftueshëm.
“Po punohet pa ndërprerë, ujë ka dhe po qarkullon në nivel të nevojshëm. Nuk duhet të ketë brengosje për reduktime të ujit. Mund të ketë reduktime të vogla, por se ka ujë të mjaftueshëm për gjithë furnizimet atje”, tha ai në një lidhje direke në “Info Plus” të RTK-së.
Kryetari Zeqiri tha se në fshatrat e Zubin Potokut nuk ka reduktime pasi fshatrat lidhen me ujësjellës tjerë.
“Sa i përket Mitrovicës, Vushtrrisë, Fushë Kosovës dhe Drenasit mund të ketë reduktime pasi kanali ka rrjedha gjithandej dhe mund ta humb pak intensitetin e qarkullimit për shkak të trasesë së gjatë, por ka qarkullim tre mijë litra në sekondë dhe ato janë të mjaftueshme”, tha ai.
Ai bëri të ditur se punimet i kanë vizituar sot edhe ministrat Liburn Aliu, Artane Rizvanolli dhe Elbert Krasniqi.