Sporti

Crisitano Ronaldo mund të merret në pyetje nga prokurorët italianë, dyshime të mëdha për kontratën e tij

12/02/2021 10:30
nga:Mergim Rreci

Sipas La Gazzetta dello Sport, Prokurori Publik i Torinos mund të marrë në pyetje Cristiano Ronaldon si pjesë e hetimit për kontabilitet të rremë që përfshin Juventusin.

Andrea Agnelli, Pavel Nedved, Fabio Paratici dhe drejtorë të tjerë aktualë dhe ish-drejtorë të Juventusit janë nën hetim për parregullsi të supozuara në kontabilitetin e klubit, përcjell GazetaBlic Sport.

Disi është i përfshirë edhe ish-ylli i Bianconerëve, Cristiano Ronaldo, edhe pse ylli portugez nuk është në mesin e të hetuarve.

Zyra e Prokurorit Publik të Torinos po shqyrton një çështje në lidhje me CR7 dhe një marrëveshje ‘sekret’ me Zonjën e Vjetër.

Sipas raporteve të shumta në Itali, ka përgjime telefonike ku drejtuesit e Juventusit flasin për një ‘dokument të famshëm që teorikisht nuk duhet të kishte ekzistuar’, por hetuesit nuk e kanë gjetur ende dokumentin dhe drejtuesit e Juventusit të pyetur nga prokurori thuhet se nuk kanë shpjeguar natyrën të marrëveshjes me Cristiano Ronaldon.

Ylli portugez ishte ndër lojtarët që hoqën dorë nga pagat në mars, prill dhe qershor 2020 për të ndihmuar klubin gjatë pikut të pandemisë COVID, por në rast të rifillimit të aktivitetit, ata do të kishin diskutuar për integrimin e shpërblimin në vitin pasardhës.

Megjithatë, marrëveshja mund të ketë të bëjë edhe me pagesën e shkëputjes së Ronaldos nga Juventusi kur asi portugez u kthye në Manchester United gjatë verës.

Prokurori Publik i Torinos dëshiron të ketë një ide të qartë për marrëveshjen sepse nuk është publikuar apo komunikuar tek autoritetet kompetente. Prandaj, Cristiano Ronaldo mund të merret në pyetje gjatë javëve në vijim për të dhënë një pamje të qartë të situatës.

/GazetaBlic Sport/