FC Prishtina njofton se dy talentet e rinj, Elod Gruda dhe Amar Ahmeti, kanë nënshkruar kontrata profesionale me klubin.
Të dy lojtarët kanë treguar potencialin e tyre në ekipin U19, i cili po kalon një sezon pozitiv, dhe shpesh janë grumbulluar edhe në listën e lojtarëve për ndeshje zyrtare. Nënshkrimi i kontratave profesionale është një njohje e meritave të tyre dhe një investim i rëndësishëm në të ardhmen e klubit, shkruan FC Prishtina, përcjell GazetaBlic Sport.
Ky hap vjen në përputhje me strategjinë e FC Prishtinës për zhvillimin dhe promovimin e talenteve vendore, duke u dhënë mundësi të rinjve të rritur brenda akademisë që të bëhen pjesë aktive e projektit afatgjatë të klubit.
Klubi mbetet i përkushtuar në krijimin e një strukture të qëndrueshme dhe konkurruese, me fokus të veçantë te lojtarët e rinj.


