Sporti

FC Ballkani: Nuk ishte aspak e vështirë që të arrihet marrëveshja e rinovimit me Dajën, objektivi mbetet titulli – trajneri është këtu për projekte afatgjate

02/26/2024 19:40
nga:Lorik J

Skuadra e Ballkanit ka njofutar gjatë ditës së sotme se kanë arritur marrëveshje për të rinovuar kontratën me trajnerin Ilir Daja deri në vitin 2026.

Ballkani, aktualisht lider i Superligës nuk është në formën më të mirë të mundshme në javët e fundit, por kjo nuk ka ndalur drejtuesit e klubit që t’i besojnë Ilir Dajës.

Kushtrim Reshitaj, zyrtari për media i FC Ballkanit thotë se marrëveshja për rinovimin e kontratës me Dajën nuk ishte aspak e vështirë – sepse palët kanë marrëdhënie fantastike që nga emërimi i teknikut në krye të klubit nga Theranda.

“Nuk ka qenë aspak e vështirë sepse klubi dhe trajneri kanë raporte të shkëlqyera qysh nga emërimi, andaj kjo ka qenë vetëm çështje ditësh. Është e natyrshme që deri tani nuk është diskutuar rinovimi sepse krahasuar me dinamikën e verës dhe vjeshtës, si shkak i impenjimit të Ballkanit në Europë, koncentrimi i secilit pjestar të klubit, ishte te objektivat”, tha fillimisht Reshitaj për ‘GazetaBlic Sport’.

Reshitaj shton se Daja ishte afruar për pozita afatgjate dhe klubi i beson maksimalisht, sepse përveç ndërtimit të një ekip konkurrues, Ballkani po ofron edhe lojtarë për kombëtare.

“Klubi i Ballkanit dhe drejtuesit e tij, janë të lidhur ngusht me trajnerin. Ilir Daja nuk është emëruar në pozitën e timonjerit për periudhë dhe objektiva afatshkurtëra. Presidenti dhe profesori kanë projektuar planet e së ardhmës, një pjesë e së cilave veç dihet e shihet. Pra pos ndërtimit të një skuadre të fortë, siç është Ballkani, klubi është i koncentruar në nxjerrjen e sa më shumë futbollistëve, të cilët pos që ngriten në karrierë, krijojen si armë të reja e të forta për Përfaqësuesen e Kosovës. Prandaj Ballkani po ofron shumë futbollistë të rinj në vazhdimësi, në skuadrat e gjeneratave, që nga të vegjlit e deri te ekipi A”, shtoi Reshitaj.

Në fund, zyrtari i klubit të Ballkanit tha se objektivi i klubit mbetet i njejtë, pra titulli kampion, teksa për atmosferën tha se është e mrekullueshme, pavarësisht rezultateve.

“Objektivi i Ballkanit as që diskutohet që është titulli kampion, kurse motivi në klubin dhe skuadrën tonë, mrekullisht sa shkon e rritet. Sa i përket rezultateve të fundit, besoj që çdo njeri që e përcjell futbollin, e ka parasysh se në periudha të tilla, mund të ndodhet çdo skuadër, përfshi edhe gjigantët europian. Këtu ndikojnë shumë faktorë, si ngarkesa e orareve të ngjeshura, lëndimet me të cilat jemi ballafaqu e po ballafaqohemi ende, forma fizike e futbollistëve etj. Por klubet si Ballkani, dijnë të dalin nga kjo situatë. E keni shembull edhe edicionin e kaluar. Sa i përket atmosferës, ajo s’ka ndryshuar asnjëherë sepse futbollistët, trajneri dhe drejtuesit e klubit, janë gjithmonë si një trung i vetëm”, përfundoi Reshitaj.

Kujtojmë se Ballkani ndodhet në pozitën e parë në Superligë pas 22 xhirove.

/GazetaBlic Sport