Lajme

FBI në kërkim të spiunit iranian që dyshohet se planifikon të kryejë sulme mbi zyrtarët amerikanë

03/06/2024 12:31
nga:N K

FBI është në kërkim të një spiuni iranian që beson se është i përfshirë në komplote, për të vrarë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të qeverisë amerikane.

Siç raporton BBC, agjencia amerikane e sigurisë akuzon Majid Farahanin, 42-vjeç, për komplot për hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani.

Soleimani, komandant i forcave Quds të Iranit, ishte vrarë nga një sulm me dron amerikan në Irak në janar të vitit 2020. FBI-ja thotë se Farahani ka vepruar në emër të inteligjencës së Iranit.

Në një njoftim të postuar të premten, FBI tha se kërkonte Majid Dastjani Farahani për t’u marrë në pyetje në lidhje me rekrutimin e individëve për operacione në SHBA.

Zyrtarët amerikanë të sigurisë thonë se Farahani udhëton midis Iranit dhe Venezuelës, dhe gjithashtu ka rekrutuar aleatë për “aktivitete të mbikëqyrjes të fokusuara në objekte fetare, biznese dhe objekte të tjera” në SHBA.

Në dhjetor 2023, Farahani dhe një zyrtar tjetër i supozuar i inteligjencës iraniane u sanksionuan nga Thesari i SHBA-së.