Lajme

Faza tre mujore e trancizionit për dinarin/ Njohësi i ekonomisë: Kontribuon në rrjedhat e mëvonshme të procesit

02/12/2024 21:01
nga:G B

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar sot se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

Po ashtu, BQK ka njoftuar se ka hartuar një plan të ri për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.

BQK-ja tha se njofton opinionin publik lidhur me planin me “veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Jakup Bellaqa, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kjo i kontribuon që rrjedhat e mëvonshme të jenë më produktive dhe që procesi të shkojë sipas pritshmërive.

“Vendimi BQK për një periudhë tre mujore, përkatësisht për vendimin për dinarin, unë mendoj se pas sugjerimit dhe rekomandimit nga miqtë ndërkombëtarë, si nga SHBA-të dhe BE-ja, mendoj se i kontribuon që rrjedhat e mëvonshme të jenë produktive sepse i kontribuojnë integrimit ekonomik dhe monetar që dinamika e këtij procesi të shkojë sipas dinamikës dhe pritshmërive”, shprehet ai.

Sipas tij, pa ndihmën që miqve ndërkombëtarë nuk mund të shtyhen përpara proceset.

“Ne pa ndihmën e miqve nuk mund t’i shtyjmë proceset ekonomike apo agjendën ekonomike përpara, duhet të ceket se që 23 vite ky proces ka qenë kështu dhe një periudhë tranzitore prej 3 muaj ia vlen barra qiranë, siç thotë urtësia popullore”, thekson njohësi i ekonomisë.

Bellaqa flet dhe për atë se a ia vlejti kritika që Kosova mori nga shtetet në Këshill të Sigurimit të OKB-së për çështjen e dinarit, derisa tani po zbatohen kërkesat e tyre.

Ai thekson se mbledhja u thirr nga Serbia dhe u desh të argumentohej ligjshmëria i vendimit të BQK-së.

“Ndërsa, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nuk ia ka vlejtur që të shkojë kjo çështje por ketë e ka kërkuar Serbia, andaj duhet të argumentohet ligjshmëria e këtij vendimi sepse është vendim qe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjve nacionale dhe sipas Direktivave të BE-së, mendoj që kjo apo qarkullimi i dinarit ka ndikuar dhe i ka shkaktuar humbje me qindra milionë euro, dhe ka rritur informalitetin ekonomik, mendoj që të kishte cekur edhe disa statistika të humbjeve ekonomike me një gjuhë ekonomike do të ishte një vlerë e shtuar dhe një argument i fuqishëm por ketë çështje do të duhej ta sugjeronin ekonomistët që i ka afër ndërsa në aspektin politik përballë Serbisë ka qenë brilant”, deklaron njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa./Gzaeta Blic/

BQK: Faza e trancizionit për dinarin mund të zgjasë deri në tre muaj