Lajme

Fauci: Omicroni nuk është aq i rëndë sa Delta për të vaksinuarit

12/29/2021 22:55
nga:Q R

Të dhënat e hershme tregojnë se varianti Omicron i koronavirusit është me sa duket më pak i rëndë se Delta tek njerëzit që janë të vaksinuar, sipas ekspertit kryesor të sëmundjeve infektive, Anthony Fauci.

Njerëzit të cilët janë vaksinuar dhe përforcuar gjithashtu duket se kanë më pak gjasa të shtrohen në spital nëse janë të infektuar me variantin Omicron.

“Të gjitha indikacionet tregojnë për një ashpërsi më të vogël të Omicron krahasuar me Deltën”, u tha Fauci gazetarëve gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë.

ShBA-ja të martën theu një rekord për numrin më të madh të infeksioneve ditore me COVID-19, me 441,278 raste.

Pavarësisht rritjes së infeksioneve gjatë muajit të kaluar, megjithatë, shtrimet në spital nuk janë rritur aq shpejt, raporton The Hill.

Fauci tha se ka pasur një rritje prej 126 përqind të rasteve gjatë dy javëve të fundit, por vetëm një rritje prej 11 përqind në shtrimet në spital.

“Ndërsa shtrimet në spital dhe vdekjet janë tregues të vonuar, pabarazia midis rasteve dhe shtrimeve në spital sugjeron fuqimisht se do të ketë një raport më të ulët të shtrimit në spital ndaj rastit”, tha Fauci.

Fauci vuri në dukje se Omicron ka njëfarë aftësie për të shmangur imunitetin, veçanërisht kundër infeksionit. Por njerëzit që janë të vaksinuar mbeten të mbrojtur kundër sëmundjeve të rënda.

Kërkohet paraburgim ndaj dy personave të dyshuar për vrasjen e mbrëmshme në Mitrovicë