Lajme

Faton Peci takon Përfaqësuesin e Bankës Botërore, dakordohen për bashkëpunim

10/28/2021 16:52
nga:Gazeta Blic

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është takuar sot me përfaqësuesin e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci. Sipas një njoftimi për media Peci i ka shprehur atij vullnetin për bashkëpunim me institucione e organizata ndërkombëtare.

“Gjatë takimit, Ministri Faton Peci e njoftoi Paolucci për ecurinë e proceseve brenda Ministrisë, për objektivat dhe këndvështrimin e tij karshi hartimit të politikave bujqësore në zhvillim të sektorit. Nga ana tjetër, Paolucci e falënderoi Ministrin Faton Peci për bashkëpunim të ndërsjelltë me Bankën Botërore dhe projektet që kjo e fundit i implementon, duke e siguruar se përkrahja e këtij institucioni nuk do mungojë karshi projekteve me rëndësi të veçantë për avancimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Kosovë.” thuhej në njoftimin për media të Ministrisë.

Tutje bëhej e ditur se nikoqiri e musafiri u dakorduan për angazhim të ndërsjelltë në projekte strategjike për bujqësi dhe zhvillim rural.

“Ndërkaq, Ministri Peci dhe Paolucci u dakorduan për angazhimin e ndërsjelltë në projekte strategjike për bujqësi dhe zhvillim rural me qëllim të avancimit të këtij sektori përmes investimeve në sisteme të ujitjes, si dhe mbarëvajtjen e programeve, të cilat prioritet kanë zhvillimin e kapaciteteve të prodhuesve e përpunuesve vendorë.”