Lajme

Faton Peci pret ambasadorin gjerman Rainer Rudolph, flasin për investimet dhe çështjet ambientale

08/04/2026 10:34
nga:L J

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peci ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend, mundësitë që Mitrovica ofron për investimet gjermane, si dhe trajtimin e çështjeve ambientale, raporton Gazeta Blic.

Ai ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën, duke theksuar se ky shtet ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të vendit.

“Gjermania ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej vendeve që ka mbështetur më së shumti Kosovën”, ka shkruar Peci.

Në postimin e tij, ai e cilësoi takimin me ambasadorin Rudolph si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin dhe për të diskutuar tema me interes të përbashkët për zhvillimin e Mitrovicës dhe të Kosovës.