Lajme

Faton Bislimi: Trump nuk është armiku ynë por Kosova duhet të jetë vigjilente!

03/06/2025 17:02
nga:Y I

Kosova tashmë sapo ka përmbyllur procesin zgjedhor dhe po pritet me interes të madh formimi i Qeverisë.

Qeveria e re pritet të përballet me detyra të vështira e një ndër to është edhe rikthimi në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.

Kujtojmë se dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian nuk ka patur ndonjë përparim të madh gjatë katër vjeçarit të fundit.

Tashmë situata ka ndryshuar dhe në krye të Shtëpisë së Bardhë është rikthyer Donal Trump, administrata e parë e të cilit ka patur probleme të theksuara me Kryeministrin Kurti.

Ish-emisari, Richard Grenell, një ndër njerëzit më të afët të Trump ka patur në vazhdimësi polemika të forta me Albin Kurtin.

Pak ditë para zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovës, Grenell pati shkruar në rrjetin social “X” se qeveria e Kurtit nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, e as mandatit të Joe Biden.

“Si Republikanët ashtu edhe Demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për marrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, tha Grenell sipas të cilit për shkak të qeverisë së tij, shumë kompani amerikane nuk po investojnë në Kosovë” pati shkruar Grenell raporton “Gazeta Blic”.

Si pritet të ndikojë në Kosovë rikthimi i Trump në pushtet?

Ish-deputeti i LDK-së që aktualisht jeton në SHBA, Faton Bislimi, ka theksuar se Kosova ka nevojë të menjëhershme për t’u fokusuar në zhvillimin e një diplomacie proaktive.

Bislimi tha se historikisht Kosova ka fituar në krah me SHBA-në.

“Në secilën paraqitje time publike dhe në shkrimet e publikuara, ka kohë që kam potencuar, theksuar, e ritheksuar nevojën e menjëherëshme të Kosovës për t’u fokusuar në zhvillimin e një diplomacie proaktive. Ka kohë që kam tërhjekur vërejtjen se problemi më madhor që Kosova mund ta ketë nesër në tavolinë mund të burojë nga një marrëveshjeje Rusi-Ukrainë. Kam theksuar se frika jonë e vetme, por reale, është se në një marrëveshje të tillë mes elefantësh politikë, ne mund të mbesim vecse një monedhë kusuritje. Dhe, kjo do ishte jo e lehtë për Kosovën. E papranueshme ndoshta për ne, por e pandryshueshme. Andaj, të vajtojmë këtë situatë pasi që ajo të ndodhë është e kot. Të veprojmë sot që të mos e lejojmë shtetin tonë të vije në atë situatë është jo vetëm nevojë e kohës, por patriotizëm i vërtetë. Kushdo që përnjëmend e do vendin më shumë se interesin e vet politik a partiak, sot duhet të vihet në shërbim të angazhimit të gjithmbarshëm e gjithëpërfshirës për shpëtimin e Kosovës nga eventualiteti i mbejtes monedhë kusuritjesh në marrëveshjet e mëdha gjeopolitike botërore” ka deklaruar Bislimi raporton “Gazeta Blic”.

Bislimi potencoi se Presidenti Trump në momente kruciale ka treguar se Amerika është me ne por se Kosova duhet të jetë vigjilente.

“Nuk dua të them e as të tingëlloj bile se disi duhet pasur frikë e duhet qenë pesimistë. Përkundrazi, dua të them se duhet të jemi vigjilentë dhe proaktiv. Duhet të veprojmë tash. E përsërisë, Amerika nuk është as miku i Serbisë e aq më pak armiku ynë që do na abandonojë tanimë. Assesi! Edhe Presidenti Trump në momente kruciale ka treguar se Amerika është me ne—në mandatin e tij të parë, Kosova fitoi ushtrinë, dhe njohjen madhore nga Izraeli. Tani, në këtë mandat, është obligim yni që përmes Kongresit të SHBA-ve, nëse jo direkt me Zyrën Ovale, jo vetëm të mos mbetemi monedhe kusuritje mes elefantësh, por të jemi pjesë e përfitimit për shtetin dhe kombin tonë, bashkë me elefantin perëndimor” deklaron Faton Bislimi për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/