Duke marr parasysh shumë procese dhe zhvillime,ndërkohë që ndodhën gjatë qeverisjes së LVV… sidomos ato rreth bisedimeve me Serbinë, kam përshtypje se momenti krucial që mund ta dëmtoj imazhin e sajë ka të bëjë dhe është shumë i ndërlidhur me çështjen e Asociacionit (temë kjo që elektorati e favorizojë pa asnjë dilemë), ku ajo kishte premtuar se ai me qeverisjen e saj, nuk ka shanse të implemtentohet… në dimensionet dhe përmasat e Marrëveshjes së vitit 2013 dhe ate 2015.
Tani, meqë dihet se ajo do e implementoj Draft Statutin e Asociacionit, i cili për mendimin tim me çfardo kompetencash që të ketë ai, do shndërrohet në një kancer i “gjallë” që do e gërryej në faza afatgjata sovranitetin e shtetësisë së Kosovës.
Dilemat edhe me tej mbeten rreth shkallares së kompetencave që do i ketë ky “instrument” (në fakt “kalë Troje).
Nëse, është edhe de jure një pushtet i tretë, jam shumë i bindur që LV do i humb zgjedhjet.
Pot, për t’i ikur këtij kurthi, LV nuk do e implementoj ate.
Ajo do “provokoj” zgjedhje të reja dhe një mandat të ri për ta prolonguar atë.
Draftit aktual, për ti ikur keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve eventuale, do duhej ta kishte një “siguresë” (ekskluzivisht; juridike) shtesë edhe për pakicën shqiptare, që jeton dhe vepron ende në pjesën veriore të vendit. Një “siguresë” e atillë e cila përveç ikjes nga keqkuptimet, do të mund t’u garantonte qytetarëve (shumicë) shqiptare se ky tip Asociacioni, kurrë s’do mund të bëhej një “Republika Serpska” kosovare).
Së këndejmi gjykoj që “barrën” dhe përgjegjësinë e Asociacionit (që dikur LVV ishte e pa kompromis ndaj saj), qeveria duhet ta debatoj në Kuvend) me opozitën, shoqërinë civile dhe botën akademike. Sepse, kalkulimet e qeverisë në bisedimet me Serbinë, pa dhënë informacione të dorës së parë, mund ta dëmtojnë shumë imazhin e saj në sytë e publikut kosovar, i cili tani nuk është aq naiv e të pranoj kompromise që e kontestojnë sovranitetin e Republikës. Opozita e sotme e ngarkuar ende me hipotekën e pranimit (viti 2013 dhe viti 2015) dhe me lakminë e ruajtjes së privilegjeve dhe pushtetit, sikur i ka shterrur “ofertat” rreth kësaj tematike po edhe sferave të tjera sociale e ekonomike.
Cilado qeveri kosovare që do varet, e në veçanti kushtëzohet e (aq më keq!) diktohet nga kërkesat “shtesë” jashtë Kosove (në rastin tonë nga ato të Serbisë, përmes listës “SRPSKA”) është e dështuar! Arsyeja e parë; në asnjë vend, në asnjë shtet të botës me çfarëdo rregullimi qoftë ai, pakicat me vetëm 5% s’munden, s’duhet dhe s’bënë t’i shantazhojnë 95% tjetër, arsyeja e dytë, asnjë obligim ndërkombëtar s’do mund të realizohet pa kompromise jashtë rrjedhave dhe logjikës kushtetuese. Arsyeja e tretë, asnjëherë me këto kondita aktuale Kushtetuese, s’do ketë garanci të qëndrueshme, si për sigurinë shtetërore, as për prosperitetin ekonomik, e as për shtetndërtim.
S’këndejmi, kujtoj që para se të ndodh më e keqja, apo për të hequr çdo dyshim ogurzi për një vendimmarrje eventuale krye në vete, mendoj se Qeveria duhet të ndërmarr ca hapa (gjë që deri më tani, dorën në zemër nuk e ka bërë!) të rëndësishëm në mënyrë të sqarohen edhe ca kualifikime e ca pozicionime shqetësuese (lidhur me Asociacionin pa njohje reciproke) që mundën me lënë pasoja të pariparueshme për brezat e ardhshëm.
Po ashtu, Kosova (Qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe bota akademike) duhet të bëjnë edhe këta hapa;
Hapi parë, opozita kosovare (nuk e kam fjalën vetëm opozitën parlamentare, por, të tërën!) Duhet të deklarohet dhe të artikulohet shumë më qartë rreth modelit apo tipit të Asociacionit që ajo mendon se paska nevojë Kosova.
Sepse, ka shumë keqkuptime të ndërsjella dhe për t’u ikur gjitha këtyre agresioneve, stigmatizimeve e paragjykimeve politike, prononcimi i qartë u shërben edhe relaksimit të raporteve publike;
Hapi i dytë, opozita po ashtu duhet të sqaroj qëndrimin, mendimin dhe gjykimin e saj preliminar, në mënyrë që pastaj qëndrimi final të arrihet përmes debateve dhe kontakteve. Sepse, qëndrimi, mendimi dhe gjykimi i bazuar në konsensus dhe marrëveshje (qoftë ajo edhe gojore!) në masë të madhe e krijon argumentin e përgjegjësisë së përbashkët (të njëjtë gjë e ka bë Serbia) por, edhe atë të (sh)fajësisë ndaj Planit franko-gjerman, ku në qendër në vend tē ” njohjes reciproke” është futur Asociacioni (një etnik);
Hapi i tretë, përçarja duhet të reduktohet skajshmërisht përmes një “monologu” (lexo; një konsensusi të arritur politik të cilin duhet ta inicioj qeveria) të brendshëm, ku do qartësoheshin; si limitet ashtu edhe “shkalla e ngucakeqjes publike” midis qeverisë dhe opozitës.
Thënë më thjeshtë një “marrëveshje xhentëlmene e mos sulmimit”, apo pse jo edhe e “armëpushimit” (s’po them edhe pajtimit, ngase në pluralizëm është i paimagjinueshëm!), e cila do të duhej të paktën të vlejë derisa të kaloj si euforia ashtu edhe presioni i jashtëm lidhur me Asociacionin.
Hapi i katërtë, vendi ku më së miri do sqarohet ky lloj (ri)pozicionimi politik e ideologjik për Asociacionin është pa asnjë diskutim aula e Parlamentit të Kosovës. Aty duhet edhe një herë të “thyhen shtizat” midis qeverisë dhe opozitës.
“Thyerja e shtizave”, nuk duhet të ndodh serish lidhur me dilemat pro et contra (ngase, është votuar njëherë!), por lidhur me shqyrtimin e mundësive për ta suspenduar vendimin e mëhershëm.
Shkak, duhet te shërbejnë, dy arsye: Arsyeja e parë që Serbia nuk e ka fut asnjëherë ne debat çështjen e (mos) votimit të Marrëveshjeve të Brukselit (as atë te vitit 2011 as atë te vitit 2015) ne Parlamentin e saj. Arsyeja ë dyte, Serbia ende edhe sot ë kësaj dite ne Preambulë të Kushtetutës se saj, Kosova figuron si territor i saj”?;
Hapi i pestë, nëse Parlamenti e ka problem ta riaktivizoj (ngase,dikush edhe mund të thotë, se është kotësi tani të ridebatohet për një temë ku 83 deputet kanë votuar pro; dhe ku është vë firma në vitin 2011 nga Hashim Thaçi dhe në vitin 2015, e rikonfirmuar nga Isa Mustafa) këtë tematikë, atëherë, kjo çështje duhet të “testohet” përmes Referendumit, në mënyrë që përgjegjësia, kompetencat, legaliteti dhe legjitimiteti juridiko-politik i vendimmarrjes të kalojnë tek qytetaria;
Hapi i gjashtë, Referendumi duket si hap i vonuar dhe tejet kompleks, edhe shkaku i presionit të kohet që faktori ndërkombëtare i ka vënë në siklet akterët tanë politik, atëherë, qytetaria është ajo adresa që duhet të aktivizohet. Ngase, nëse respektohet ky vullnet i qytetarisë kosovare qoftë madje edhe si demonstrim civilizues (paramendoni; 1 milion shqiptar të Kosovës në Sheshin Ibrahim Rugova!) atëherë, nuk e kam dyshimin se kjo qytetari me vullnetin e saj po ia refuzon Serbisë veriun e Kosovës dhe për rrjedhojë funksionalitetin e krejt shtetit të Kosovës!
Hapi i shtatë, mirëpo, nëse ndodh e kundërta; pra, pa vullnetin e qytetarisë copëtohet Kosova (dhe i dhurohet veriu heshtazi pa asnjë reagim as publik e as jopublik) qoftë nga qeveria e sotme, apo opozita e nesërme dhe kjo përjetohet si humbje e së drejtës përkundër forcës, atëherë mbetet kjo kërkesë e përjetshme për rivendosjen e drejtësisë dhe krijimin e forcës për të. (P.S. Kjo e fundit ka shumë rëndësi: p.sh. serbët e ruajtën në kujtesë si humbje të padrejtë të Kosovës në vitin 1389, dhe me shekuj punuan për rikthimin e saj nën Serbi, gjë që e arritën në shekullin 20.
Shqiptarët e ruajtën në kujtesë humbjen e Kosovës në vitin 1913, dhe po punojnë për rivendosjen e drejtësisë historike, morale e politike. Por kur diçka (Asociacioni) dhurohet vullnetarisht, e humb përgjithmonë këtë forcë lëvizëse. Kjo është thënë me ndryshe, dialektika e kthimit të humbjes në fitore, dialektikë që shpërbëhet përfundimisht kur humbja përjetohet si fitore dhe mençuri politike e një qytetarie të momentit..)