Liridon Fetahaj është në mesin e futbollistëve më të mirë në Ligën e Parë.
Sulmuesi i skuadrës së Suharekës prej vitesh është i dëshmuar në futbollin kosovar, kurse këtë edicion vendosi që t’i bashkohet një projekti të ri, shkruan GazetaBlic Sport.
Pavarësisht disa vështirësive, Suhareka renditet në vendin e tretë me 17 pikë, me gjasa reale për t’u ngjitur për herë të parë në Superligën e Kosovës.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Fetahaj tha se pavarësisht disa rezultateve jo të mira, skuadra është brenda objektivave.
“Mendoj se pavarësisht disa rezultateve jo të mira që kemi pasur, jemi ende brenda objektivave, sepse realisht kemi shumë lojtarë cilësorë dhe pritet më shumë nga ne, por na duhet pak kohë deri të ambientohemi”, tha fillimisht ai.
Tutje, ai tha se beson fuqishëm që në fund të edicionit, FC Suhareka do të jetë pjesë e Superligës së Kosovës në futboll.
“Besoj se në fund të edicionit klubi do të arrijë të futet në Superligë, sepse këtij klubi tonë nuk i mungon asgjë, nuk ka ndodhur që unë të kem qenë në klube të tjera, e që të ekzekutohen rrogat përpara kohës sikur këtu, që tregon seriozitetin e klubit. Me disa përforcime në janar, klubi në fund do të jetë pjesë e Superligës. Duhet cekur që atmosfera brenda skuadrës është fantastike, me trajnerin Arsim Thaqi është shumë kërkues për rezultate pozitive“, përfundoi Fetahaj.
/GazetaBlic Sport/