Sporti

Fantastike: Kualifikimi në ‘Euro 2024’, rreth 4 mijë shqiptarë do të jenë në mbështetje të Shqipërisë në Moldavi

11/15/2023 15:32
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Shqipërisë e zhvillon të premtën ndeshjen ndaj Moldavisë në kualifikueset e ‘Euro 2024’.

Ky takim do të zhvillohet me fillim nga ora 18:00, atje ku kuqezinjtë pritet ta konfirmojnë zyrtarisht kualifkimin, shkruan GazetaBlic Sport.

Sfida e grupit E kualifikues për Euro 2024 është një finale për tanët, me “Shqiponjat” që kërkojnë të nisin fluturimin për në Gjermani, teksa një pikë do na dërgonte për herë të dytë në fazën finale të një Evropiani.

Të dyja skuadrat janë takuar gjashtë herë në fushë, me tanët që kanë fituar pesë duele dhe kanë barazuar një (në miqësore). Të pesta takimet e fituara nga kuqezinjtë janë në kuadër të kualifikueseve europiane.

‘GazetaBlic Sport’ mëson se rreth 4 mijë shqiptarë pritet të jenë prezentë në ndeshjen në Moldavi, duke qenë një forcë shtesë për kuqzinjtë në fushë.