Lajme

“Familja e Liridonës ia dha mundësinë personit që e shiti armën e vrasjes të kërkonte falje, por ai nuk e bëri”

12/10/2025 14:45
nga:Sh R

Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit, u shqyrtua rasti i Tom Dodajt, i dënuar me pesë vite burgim për shitjen e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj.

Avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë ishte i drejtë dhe se është brenda kufijve të dënueshmërisë, të cilat variojnë nga 1 deri në 8 vjet.

“Shitja e armës, në këtë rast, ka pasur pasoja të rënda dhe është e natyrshme që të shqiptohet një dënim i tillë, pasi nuk mund të krahasohet me shitje të thjeshta armësh”, ka thënë Syla.

Ai shpjegoi se, pas seancës së shkallës së parë, familja Ademaj i kishte dhënë Dodajt mundësinë të kërkonte falje dhe të ndante dhimbjen me ata, por ai nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim.

“Ne e kemi hapur derën për ngushëllime dhe e kemi ftuar të vijë për të kërkuar falje, por ai nuk ka ardhur. Mungesa e kërkimit të faljes dhe të pendesës për veprën që ka shkaktuar ka bërë që lidhja me familjen të mbetet shumë e dobët dhe kjo nuk mund të merret si rrethanë lehtësuese për të”, deklaroi ai.

Në fund, avokati i familjes Ademaj shprehu besimin se Gjykata e Apelit do ta vërtetojë vendimin e shkallës së parë.