Lajme

Familja e Faton Hajrizit ngre padi ndaj Kurtit, Bislimit dhe Rexhajt: Duhet të kërkojnë falje

10/16/2024 16:54
nga:G C

Avokati i familjes së Faton Hajrizit, Gent Gjini, njoftoi për GazetaBlic se nesër do të procedohet një padi në Pallatin e Drejtësisë ndaj zv.kryeministrit Besnik Bislimi, kryeministrit Albin Kurti dhe deputetit të Vetëvendosjes, Arber Rexhaj.

Kjo padi vjen si pasojë e epitetëve negative, ofendimeve dhe fyerjeve të drejtuara ndaj Hajrizit.

Gjini theksoi se fjalët e përdorura nga këta zyrtarë kanë pasur një ndikim të dëmshëm në imazhin dhe dinjitetin e klientit të tij.

Ai theksoi se ky veprim është i domosdoshëm për të mbrojtur të drejtat e Hajrizit dhe për të adresuar sjelljet e papranueshme nga figura publike.

“”Nesër, në pallatin e drejtësisë do t’i procedojmë paditë, sepse tashmë veç janë bërë. Ne kemi paditur zv.kryeministrin Besnik Bislimin, kryeministrin Kurti dhe deputetin e VV’së, Arbër Rexhaj, për epitetet negative, ofendimit e fyerjet drejt Faton Hajrizit”, tha Gjini për GazetaBlic.

“Epiteti kriminel që ata ia kanë vënë Faton Hajrizit nuk njihet në literaturë apo ligje penale, sepse edhe me Konventën Evropiane, personat që janë të burgosur duhet të kenë trajtim të dinjitetshëm praktik dhe moral, pra nuk ka drejt askush ta quaj dikë kriminel. Ne do të kërkojmë nga ana e Gjykatës që ata t’i tërheqin fjalët negative dhe t’i kërkohet falje familjes Hajrizi”

“Ne besojmë që kjo do të ndodhë, familjes Hajrizi do t’i kërkohet falje dhe do të kompensohen në kuptimin moral dhe material”, përfundon Gjini për GazetaBlic.