Fahrije Hoti, themeluese e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, të hënën, ka deklaruar se pavarësisht refuzimit të aplikacioneve për grante nga Ministria e Bujqësisë, do të vazhdojë punën .
Hoti në konferencë për media ka theksuar se asnjëherë nuk i kishte ardhur ndonjë njoftim për padi nga Gjykata lidhur me kthimin e mjeteve në vitin 2017, dhe ka kërkuar nga ministri Faton Peci që të kërkojë falje për deklaratat e tij.
“Ministri Peci ka thënë se jam e paditur në gjykatë, mua asnjëherë nuk më ka ardhur asnjë ftesë, nuk e di ku e ka gjetur atë dosje. Kërkoj nga ministri të kërkojë falje për këtë jo vetëm njollosjen e Fahrijes por edhe të gjitha gratë janë njollos me këtë etiketim. Kërkoj nga ministria të kërkojë falje publike e jo me shkrime e me video në rrjete sociale. Jo me u marr me çështje personale me Fahrijen, Fahrija ka një adresë që e ka ndertu me sakrificë e dhimbje e lot. Nuk po më dhemb si Fahrije Hoti por si gratë e Krushes. Unë kam marr vendim që më është refuzuar projekti na është refuzuar ankesa, nuk jemi marr me atë çështje. Le të kërkon në Gjykatë e prokurori ku Fahrije Hoti është e dënuar, më rast se ka një aktakuzë atëherë lë te ulet e le te bisedojmë. Le të vazhdojnë me më refuzu por ne nuk do të dorëzohemi”, ka deklaruar Hoti.
Ajo ka njoftuar se nga 2015 deri më 2024 asnjë grant nga Ministria e Bujqësisë nuk kanë qenë përfituese.
“Përjashtim në kohë pandemie nga Bashkimi Evropian, me dokumentet e njëjta kemi qenë përfitues, në bashkëpunim me Komisionin Evropian”, ka shtuar ajo.
Ajo ka deklaruar se “kurrë më parë kooperativa nuk ka qenë më e kompletuar si sot, nuk do e akuzoj asnjë subjekt, kemi pasur dhe e kemi derën e hapur për qeverinë e subjektet politike”.
Po ashtu, Hoti ka deklaruar se nuk ka pranuar asnjë thirrje në vitin 2017 për kthimin e shumës prej 17,800 eurove të fituara si grant.
“Unë nuk kam pranuar asnjë thirrje për kthim të mjeteve, unë nuk i kthej mjetet, jo Peci por çdo kush le të vijë nuk do i kthej ato mjete. Kam me qëndru prapa këtyre fjalëve kushdo që vjen”, ka deklaruar Hoti.