Kryetari i komunës së Skënderajt, Fadil Nura, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka thënë se shifra e dëmëve të shkaktuara nga vërshimet e muajit janar e kalon shifrën e 12 milion eurove.
Nura ka thënë se dëmet më të mëdha janë në ekonomitë familjare, bizneset dhe infrastruktura publike.
“Komisioni i formuar në përputhje me ligjin mbi fatkeqësitë natyrore, ka përfundu punën e tyre në mënyrë profesionale dhe kemi një shifër të dëmeve që arrin koston prej 12 milion e 200 e 3mijë euro, përfshirë shtëpitë e banimit, ekonomitë familjare, bizneset, bujqësinë dhe infrastrukturën publike që është vlera mbi gjashtë milion euro.
“Dëmet më të mëdha janë në ekonomitë familjare, kemi gjithsej 372 familje që janë të prekura direkt, infrastruktura publike është jashtëzakonisht e shkatërruar, kemi diku 9 ura të shkatërruara totalisht, rrugë, kanalizime, pjesë të ujësjellësit, objektet shkollore, fushat sportive, palestrat e sportit janë jashtë funksionit, objekti i qendrës për punë sociale . Kemi dëme të mëdha edhe në biznese, një pjesë e madhe e bizneseve, mbi 100 biznese janë të dëmtuara jashtëzakonisht shumë, pastaj edhe bujqësia” deklaroi Nura për “Gazeta Blic”
Nura tutje ka treguar edhe fshatrat të cilët janë prekur më shumë nga vërshimet.
“Rrezja e veprimit të vërshimeve ka përfshi fshatrat që kanë gravitu afër lumit Klina, prej Kuçice, Klina e Epërme, e Mesme e Ulët, komplet zona urbane e qytetit të Skënderajt, Llausha, Tushilen deri në Aqarevë në kufirin administrativ me komunën e Klines. Të gjitha këto fshatra përfshi pastaj edhe krahun perëndimor në të cilën shtrihet Kopiliqi dhe fshatrat deri në Runik” deklaroi Nura në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.