Lajme

Fadil Geci është dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, iu hoqën masat mbrojtëse

10/21/2024 14:09
nga:N K

Fadil Geci është dëshmitari i radhës, i cili filloi të hënën dëshminë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Ky dëshmitar është i 96-ti me radhë dhe mban kodin W04240. Ai ishte me masa mbrojtëse, por pas seancës private në fillim, atij iu hoqën masat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e Gecit pritet të zgjasë rreth dy ditë.

Ndryshe, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Ndërsa, përmes vido-lidhjes është i pranishëm gjyqtari Christoph Barthe.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.