Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Makine ve Kimya Endüstrisi, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë, kështu njoftoi Zyra e kryeministrit Albin Kurti.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit kjo fabrikë do të operojë si ndërmarrje publike di si markë 1005 vendore.
“Pas funksionalizimit, Fabrika do të operojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore e Republikës së Kosovës. “Ne kemi bërë ushtrime bashkë me ushtrinë e Turqisë, kemi blerë pajisje, municione dhe armatime që prodhon Turqia, e tash është koha që edhe të prodhojmë bashkë në vendin tonë”, tha kryeministri Kurti në takimin me delegacionin nga MKE që u zhvillua pak para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.
Lidhur me kontratën e nënshkruar nga Kosova me prodhuesin turk për themelimin e një fabrike të municioneve, eksperti i sigurisë, Drizan Shala vlerëson se është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes të vendit, si dhe për avancimin e industrisë së mbrojtjes.
“Pjesë e rëndësishme është që një prodhues i tillë i municioneve do të mundësonte furnizime të sigurt dhe të pavarura për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke eliminuar varësinë nga furnizuesit e huaj. Ky është një hap i rëndësishëm për të siguruar që vendi të ketë mundësinë për të përballuar sfidat e sigurisë brenda dhe jashtë kufijve të tij”, tha Shala në një prononcim dhënë për GazetaBlic.
Sipas tij, kjo do të ishte një mundësi për të rritur industrinë e mbrojtjes dhe për të krijuar vende të reja pune në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë prodhimin, inxhinierinë, logjistikën dhe mbështetje teknike.
Tutje, eksperti potencon ndikimin e kësaj fabrike në vendin tonë.
“Si pjesë e forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes, ky projekt ka mundësinë të rrisë aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Ndikimi i tij do të ndihmojë në minimizimin e varësisë nga furnizuesit e huaj dhe do të sigurojë që vendi të jetë i përgatitur për t’u përballur me sfida të mundshme”, u shpreh ai.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme prodhuesi turk i industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), u shpreh krenarë që kanë kontribuar në këtë gjë.
“Nënshkruam marrëveshje për themelimin e një fabrike moderne në Kosovë që do të prodhojë municion sipas standardeve të NATO-s.Me këtë kontratë të nënshkruar, ne jemi krenarë që kemi kontribuar në eksportet e industrisë së mbrojtjes së Turqisë duke forcuar industrinë e mbrojtjes së vendit tonë mik dhe vëlla, Kosovën”, thuhet në njoftim.


