Sporti

Fabio Capello kritikon Guardiolan për formacionin startues

05/30/2021 12:00
nga:E K

Trajneri i njohur italian, Fabio Capello ka kritikuar Pep Guardiolan për mënyrën e organizimit të skuadrës së Manchester Cityt në finalen e Ligës së Kampionëve, ku pësoi disfatë me rezultat 0-1 nga rivalët anglez, Chelsea.

Capello nuk i ndali kritikat për Guardiolan për formacionin startues, ndërkohë përgëzoi homologun e tij, Thomas Tuchel, shkruan GazetaBlic Sport.

“Ka gabuar formacionin në pjesën e parë, pjesa e dobët e Cityt janë lojtarët e qendrës, me Stones i cili nuk di si të mbrohet dhe Gundogan i cili para mbrojtjes nuk mundi të garantonte siguri”

“Me futjen në lojë të Fernandinhos, skuadra ishte më e ekuilibruar, por pasi i kishte dhuruar pjesën e parë kundërshtarëve nuk ishte i mjaftueshëm inkuadrimi i tij”, shtoi ai.

Ndërsa për Tuchel ai tha se i ka dhënë karakter skuadrës së Chelseat.

“I ka dhënë hare dhe personalitet skuadrës së tij, duke vënë në pah karakteristikat teknike të lojtarëve që ka. Chelsea ka ditur të vuajë kur është dashur dhe ka ditur të shtyjë përpara për të dëmtuar Cityn. Një fitore e merituar nga ata”, tha Capello.

“Vitin e kaluar ai humbi finalen me PSG-në, skuadër që kishte lojtarë që mund të fitojnë Topin e Artë, ndërsa këtu ka formuar një skuadër të shpejtë me personalitet, besim dhe sistem të lojës”, shtoi italiani.

“Falë tij lojtarët kanë luajtur mirë në mbrojtje dhe në marrjen e topit, sigurisht duke iu falënderuar edhe një kapiteni si Azpilicueta”, përfundoi Fabio Capello.

/GazetaBlic Sport/