Lajme

Evropa nuk është “El Dorado”, Kosovën po e pret fati i Hungarisë, Polonisë e Rumanisë

04/18/2023 19:24
nga:Genita C

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu e sheh si të vonuar liberalizimin e vizave dhe për këtë, fajëson politikanët e Kosovës që ishin në pushtet qysh nga 2013-ta.

Gërxhaliu në një prononcim për GazetaBlic tha se, liberalizimi i vizave për Kosovës padyshim se do të jetë një ‘grusht’ për sektorin privat.

“Liberalizimi i vizave është një vendim i pritur për një kohë të gjatë, por i vonuar. Një vonesë në të cilën ka kontribuar papërgjegjësia e politikanëve kosovar, duke filluar nga viti 2013, 2016 e deri më tani”, tha ai.

Gërxhaliu shtoi se fluksi më i madh i ikjes së të rinjve nga Kosova do të jetë në muajin shkurt të 2024-tës dhe sipas tij pas disa kohe kjo tendencë për të të ikur do të zbehet.

“Ajo çfarë duhet të kemi kujdes është që nuk duhet të kemi eufori, duhet të kemi një dialog, partneritet dhe kampanja vetdijësuese për qytetarët në mënyrë që të informohen se liberalizimi nuk është me mundësi automatike për t’u punësuar dhe dua të besoj që fluksi do të ndahet në tri periudha kohore. Etapa e parë kohore do të fillojë në muajin shkurt të 2024-tës, kur qytetarët do të dalin me të madhe nga vendi për të kërkuar punë dhe për t’i vizituar familjarët”, tha Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, qytetarët e Kosovës do të binden që Evropa nuk është një “El Dorado” që bën grumbullimin e parave.

“Me kalimin e kohës ky fluks do të zbehet sepse qytetarët e Kosovës do të binden, që Evropa nuk është qysh ka qenë më përpara, nuk është “El Dorado” i grumbullimit të parave dhe në këtë drejtim do të ketë lëvizje edhe mbrapa”, tha Gërxhaliu.
“Goditjen më të madhe do ta ketë sektori privat, sepse ende pa filluar liberalizimi është evidente mungesa e fuqisë punëtore, kjo do të jetë një grusht për sektorin privat. Në veçanti kur shtetet evropiane, falë nevojës për fuqi punëtore janë duke përshpejtuar procesin e vizave të dhënies së punës”, shtoi ai.

Gërxhaliu thotë se Kosovën po e pret fati i Hungarisë, Polonisë e Rumanisë ku qytetarët të cilët ikën nga vendi i tyre, u kthyen menjëherë pasi u liberalizuan vizat.

“Ky është një realitet në të cilin duhet jetuar, por besoj që me kalimin e kohës gjërat do të përmisohen. Kosovën do ta pret ajo që i ka ndodhur Hungarisë, Polonisë dhe Rumanisë ku shumë njerëz kanë migruar në Evropë dhe pas liberalizimit janë kthyer në vendin e tyre. Pasi liberalizimi ka qenë ‘mollë e ndaluar’, besoj se kosovarët do ta shijojnë dhe do të ketë raste të kthimit mbrapa”, tha Gërxhaliu për GazetaBlic.

Edhe njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa thotë se sektori privat do të jetë më i prekuri nga ky proces i finalizuar, por sipas tij, ekonomia e Kosovës do të ketë mundësi të reja me liberalizimin e vizave.

Kështu të paktën thotë ai për GazetaBlic, teksa theksoi se pagat në sektorin privat duhet të rriten urgjentisht në mënyrë që të rinjtë të qëndrojnë në vendin e tyre.

“Me liberalizimin e vizave, vendit tonë i hapën mundësitë e reja në aspektin ekonomik dhe politik, sepse mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe integrohet ekonomia e vendit ku do te krijohet një bashkëpunim më i frytshëm dhe produktiv.Komplimentariteti ekonomik do të ndikojë që ekonomia e Kosovës do të integrohet më lehtë në atë evropiane, ku kërkesa agregate ekuilibrohet”, tha ai.

“Ajo çfarë duhet të kemi parasysh, është se do të preket sektori privat sepse do të ikin shumë të rinjë nga vendi. Do të duhet të rriten në mënyrë urgjente pagat e sektorit privat, e vetmja mënyrë që mos të largohet fuqia punëtore”, shtoi ai.

“Edhe shteti duhet të zbatojë politika makroekonomike aplikative dhe ta rregullojë tregun e punës së fuqisë punëtore, kështu duke krijuar një strategji kombëtare, ekonomike, afatmesme dhe afatgjate”, tha Bellaqa për GazetaBlic.

Psikologu Rron Kastrati nuk e sheh këtë fenomen si ikje, por si një mundësi që ju jepet të rinjve për të parë se me çka ballafaqohet Evropa.

Kastrati në një prononcim për GazetaBlic thotë se, pavarësisht kësaj shkaqet ekonomike kanë bërë që pjesë e shoqërisë të largohet nga Kosova dhe të vazhdojë jetën në vendet perëndimore.

“Duke analizuar gjithë tranzicionin politik që nga pas lufta e deri më sot, duke i vënë theksin vështirësive socio-ekonomike, krizave poltike apo një politik bërje krejtësisht eksperimentale dhe kjo ka rezultuar me pasoja socio-emocionale të shoqërisë kosovare, nga të gjitha këto vështirësi, Kosova ka arritur të tejkalojë shumë sfida jo vetëm vendore por edhe ndërkombëtare. Megjithëse njerëzit që kanë migruar në vendet tjera, nuk kanë arritur t’i rezistojnë këtyre problemeve dhe shumë e natyrshme që e drejta e tyre njerëzore i ka detyruar të ndryshojnë vendbanim”, tha Kastrati.

“Shkaqet me fokus kanë qenë ekonomike, por njëkohësisht ata që kanë migruar në vendet tjera, këtë ikje e cilësonin shpëtim sepse në Kosovë nuk gjenin mundësi depërtimi në një vend të shëndosh pune. Arsimimi ka qenë krejtësisht eksperimenatal, derisa jemi përshtatur në kushtet të favorshme, por akoma sot po përballemi me vështirësi dhe bllokime të grevash”, shtoi Kastrati.

Kastrati  shton se vendet perëndimore do të avancojnë të rinjtë e Kosovës në profesionin e dijen e tyre.

“Unë mendoj që ikjën e të rinjve nuk e shoh vetëm për shkaqe ekonomike, por për ta parë botën shumë më ndryshme sepse në vendin tonë gjërat kanë qenë të kufizuara. Një i ri që të avancojë tutje në profesionin e tij të dije, zanatin e aftësive profesionale mund të prodhojë produktivitet edhe në vendet perëndimore”, tha Kastrati.

“Këtë nuk do ta konsideroja ikje, por një mundësi për të rinjtë që të shohin personat në vendet perëndimore në qfarë kushte e qfarë rrethanash jetojnë. E drejta e personave për të ndryshuar vendbanim nuk mund të cenohet, andaj institucionet vendore duhet që të zgjerojnë hapësira për mundësi punësimi, të shërbejnë me bursa studentët e dalluar, të nxisin të rinjtë për të avancuar kapacitetet e tyre”, shtoi Kastrati.

“Ikja e të rinjëve nga Kosova është një temë e përditshme, ku këtu ka ndikuar edhe mënyra se si janë rritur e edukuar. Tek të rinjtë nga ndikuar depresioni kolektivisht i shoqërisë dhe mendimet vrastare. Këto elemente i bëjnë të rinjtë të largohen jashtë vendit, sepse nuk gjejnë mbështetje të mjaftushme psikologjike dhe emocionale, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga familja. Me liberalizimin e vizave vjen një provë e re, të shikojnë perëndimin, të shohin se a mund të ja dalin mban apo jo. Ikja e të rinjvë mund të rezultojë me vlera jo të mirëseardhura për shtetin tonë, por nëse Institucionet shohin një shifër enorme të ikjes së tyre nga Kosova, do të kuptojnë që funskioni i tyre duhe të ripërditësohet”, tha Kastrati për GazetaBlic.

Liberalizimi i vizave, Azemi i çon ‘selam’ Kurtit: Përgatitu, ja çfarë po të pret në 2024-tën