Lajme

Europa Nostra zbarkon në Kosovë, vizitojnë Manastirin e Deçanit të cilin e kanë futur në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë

07/06/2022 11:01
nga:Genita C

Një delegacion i organizatës evropiane “Europa Nostra” që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore po qëndron në Kosovë.

Ata kanë vizituar Manastirin e Deçanit, të cilin e kanë futur në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.

Delegacioni i Europa Nostra është pritur dje nga Igumeni Sava Janjic, të cilëve u ka shtruar darkë në ambientet e objektit fetar.

Igumeni Janjic ka publikuar disa fotografi të vizitës së delegacionit të organizatës evropiane në manastir.

“I nderuar ta mirëpres delegacionin e Europa Nostra sot në Manastirin e Deçanit. Mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët në Evropë është thelbësore për të ardhmen e kontinentit tonë. Duke vizituar vende të traditave të ndryshme Europa Nostra do të theksojë nevojën e mbrojtjes së trashëgimisë në Kosovë. Delegacioni i Europa Nostra që po kalon këto ditë në një vizitë studimore në Kosovë përbëhet nga ekspertë të shquar të cilët janë tejet të angazhuar për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në evropë dhe të punojnë në shumë projekte në këtë fushë. I nderuar që i mirëprita”, thuhet në ‘cicërimën’ e Janjiq në Twitter.

Futjen e Manastirit të Deçanit në 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë, e kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës.

Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani i kanë dërguar letër organizatës “Europa Nostra”, që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Në këtë letër, shefi i qeverisë dhe shefja e shtetit kanë argumentuar pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Ndaj futjes së Manastirit të Deçanit në listën e “7 Vendeve më të Rrezikuara në Evropë” ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Misioni i KFOR-it në Kosovë prillin e vitit të kaluar në një një përgjigje për Express, kanë deklaruar se nuk kanë regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm kundër Manastirit të Deçanit në 10 vitet e fundit.