Lajme

Eurodeputeti McAllister thotë se ka marrëveshje mes institucioneve te BE’së për planin 6 miliardësh për Ballkanin Perëndimor

04/04/2024 13:28
nga:N K

Eurodeputeti gjerman, David McAllister, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, ka thënë se është arritur një marrëveshje për Planin e Rritjes që BE ka për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi një marrëveshje. Me 6 miliardë euro, “Reform and Growth Facility” për Ballkanin Perëndimor do të sjellë Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë më afër Bashkimit Europian”.

Ai tha se bashkë Gert Jan Koopman, drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Europian, Willem van de Voorde, përfaqësues i Belgjikës, e cila udhëheq me Këshillin e BE-së, si dhe me dy eurodeputetët Karlo Ressler dhe Tonino Picula janë siguruar që mbështetja e tyre financiare për rajonin është “strategjike, e koordinuar dhe me ndikim”.

Për Kosovën dhe Serbinë ishte diskutuar që ky plan të shërbente si kushtëzim, raporton Gazeta Express.

Në fund të marsit ishte raportuar se kishin “mbetur për t’u sqaruar edhe disa hollësi rreth kushtëzimit specifik për Kosovën dhe Serbinë dhe kushtëzimi me përshtatjen e vendeve të rajonit me politikën e vizave”.

Gjithashtu, sipas burimeve të REL-it brenda Këshillit të BE-së dhe Parlamentit, pengesë kryesore për arritjen e pajtimit është insistimi i Këshillit që fjalën kryesore për administrimin e këtij plani ta ketë Këshilli, ndërsa Parlamenti insiston që edhe ai të ketë rol në vendimet për të pranuar programet e reformave nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si kusht për pagesat nga ky fond.

Për miratimin formal të këtij plani, i cili përfshin 6 miliardë euro ndihmë financiare për gjashtë vendet e rajonit, është i domosdoshëm pajtimi i Parlamentit Europian dhe Këshillit që tani është arritur.