Në një kohë kur demokracitë përballen me sfida të reja dhe komplekse, eurodeputeti austriak Lukas Mandl thekson rëndësinë e thellimit të lirisë së fjalës dhe angazhimit qytetar për të ruajtur një shoqëri vërtet demokratike.
“Liria e shprehjes duhet të mbrohet 100%,” u shpreh Mandl në një diskutim me studentë të Universitetit të Prishtinës.
“Kjo nuk mjafton nëse ajo mbrojtje nuk shoqërohet edhe me një përpjekje reale për të dëgjuar zërat që nuk janë gjithmonë më të zhurmshmit. Si mund të sigurohemi që edhe zërat më të qetë, ata më reflektivë, të jenë të pranishëm në debatet tona publike?”
Për Mandl, përgjigjja qëndron në udhëheqjen politike: “Do ta quaja lidership. Lidershipi politik duhet të dëgjojë edhe ato zëra që nuk bëjnë shumë zhurmë. Ata janë shpesh më të efektshmit”, u shpreh Mandl.
Sipas tij, një udhëheqje e mirë buron nga thelbi i vetë demokracisë, një sistem që jo vetëm mbështetet në lirinë e shprehjes, por edhe në pjesëmarrjen aktive të qytetarëve.
Mandl i referohet gjithashtu tezës së njohur të juristit gjerman Wolfgang Böckenförde, se “shteti demokratik jeton nga parakushte që vetë nuk mund t’i garantojë”.
Kjo sipas tij do të thotë se demokracia varet nga angazhimi vullnetar i qytetarëve për të marrë pjesë, për të reflektuar dhe për të kontribuar në jetën publike.
“Nëse qytetarët nuk angazhohen vetë, shteti nuk mund t’i detyrojë. Dhe nëse do ta bënte, atëherë nuk do të ishte më demokraci. Në një epokë kur besimi tek institucionet shpesh tronditet dhe zërat ekstremë fitojnë hapësirë disproporcionale, ky mesazh është një thirrje për kthim te thelbi i demokracisë: dialogu, reflektimi dhe pjesëmarrja”, theksoi Mandl.
Në vijim të reflektimeve të tij mbi demokracinë dhe pjesëmarrjen politike, eurodeputeti austriak Lukas Mandl theksoi rëndësinë e të drejtës jo vetëm për të votuar, por edhe për të qenë i zgjedhur.
“Kjo është demokracia në thelb – të gjithë kanë mundësinë jo vetëm të votojnë, por edhe të kandidojnë,” tha ai, duke nënvizuar dimensionin aktiv dhe pasiv të të drejtës së votës.
Në të njëjtën kohë, Mandl rikujtoi rolin kyç të ndarjes së pushteteve dhe mbikëqyrjes institucionale.
“Është thelbësore që të kemi një gjyqësor të pavarur që monitoron jo vetëm vendimmarrësit në politikë, por edhe në sektorin civil,” theksoi ai.
Megjithatë, sipas eurodeputetit Mandl, ekziston një themel edhe më i thellë se vetë demokracia – dinjiteti njerëzor.
“Ky është ‘vaji’ që bën të funksionojë motori i demokracisë. Është ideja se çdo njeri ka të njëjtën vlerë,” u shpreh ai.
Sipas tij, edhe pse në biseda të përditshme mund të ketë konsensus rreth kësaj ideje, realiteti global shpesh tregon të kundërtën.
“Kur mendon për këtë më thellë – jo vetëm në aspektin e etnive, religjioneve apo ideologjive – por edhe për personat me aftësi të kufizuara, për gratë dhe burrat, për fëmijët… në shumë vende të botës, vajzat dhe fëmijët trajtohen në mënyrë të pabarabartë, madje mizore,” paralajmëroi Mandl./EO/