Lajme

EULEX-it i zgjatet mandati deri në vitin 2025

06/06/2023 12:15
nga:Y I

Misionit të Bashkimit Evropian do t’i zgjatet mandati edhe me ‘letra’ nga ana e institucioneve të Kosovës deri në qershor të vitit 2025.

Në fakt është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që duhet ta formalizojë këtë.

Në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian është publikuar sot vendimi e Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2023/1095 e datës 5 qershor 2023 për ndryshimin e Veprimit të Përbashkët 2008/124/CFSP për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë për zgjatje të mandatit, fushë veprimtarinë dhe ndarjen e buxhetit.

“…Më 3 qershor 2021, Këshilli miratoi Vendimin (CFSP) 2021/904 ), duke ndryshuar Veprimin e Përbashkët 2008/124/CFSP dhe zgjatjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX KOSOVO) deri më 14 qershor 2023. (3) Në kontekstin e rishikimit strategjik të EULEX KOSOVË, Komiteti Politik dhe i Sigurisë (KPS) u pajtua që EULEX KOSOVË duhet të zgjatet deri më 14 qershor 2025. KPS-ja gjithashtu u pajtua që, përveç vazhdimit të të zbatojë detyrat e tij, EULEX KOSOVË duhet të ndihmojë autoritetet e zbatimit të ligjit të Kosovës në zhvillimin e tyre kapacitetet për të shkëmbyer informacion me homologët rajonalë dhe ndërkombëtarë në fushën e asistencës ligjore dhe bashkëpunimi në çështjet penale”, shkruan në dokument .

“Shuma e referencës financiare e destinuar për të mbuluar shpenzimet e EULEX KOSOVË nga data 15 qershor 2023 deri më 14 qershor 2025 do të jetë 165 310 000 euro. Nga kjo shumë, shuma e destinuar për të mbuluar shpenzimet e EULEX KOSOVË për zbatimin e mandatit të tij në Kosova do të jetë 58 500 000 euro dhe shuma e destinuar për të mbuluar mbështetjen për procedurat gjyqësore të zhvendosura brenda një shteti anëtar do të jetë 106 810 000 euro”, thuhet në dokument.

Këtë tashmë vetëm duhet ta formalizojnë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Shefi i Politikës së Jashtme, Josep Borrel./Telegrafi/