Lajme

‘Gripi sezonal’, Fluksi i pacientëve jo më i lartë se gjatë janarit- Rreth 11 mijë vaksina të administruara!

01/27/2026 12:07
nga:Y I

Në vendin tonë ka nisur qarkullimi i gripit sezonal tash e dy muaj.

Fluksi i pacientëve gjatë muajit janar vazhdon të jetë i njëjtë si gjatë dhjetorit.

Kështu ka konfirmuar për “Gazeta Blic” mjekja dhe Kryeshefja në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) Vjollca Zeqiri.

Zeqiri ka rënditur disa nga simptomat kryesore me të cilat po manifestohet gripi.

“Po, natyrisht tani jemi në sezonin e gripit sezonal dhe e mira është fluksi i pacientëve nuk është më i madh gjatë janarit, krahasuar me muajin dhjetor. Natyrisht se kemi një numër të madh të pacientëve por nuk kemi fluks më të shtuar që është diçka për t’u shqetësuar”

“Gripi zakonisht shkakton simptoma të traktit respirator që manifestohen me tështitje, kollitje, ethe, temperaturë e lartë, dhembje e muskulaturës, kokë-dhemje. Tek fëmijët është karakteristike se manifestohet edhe me barkqitje ndonjëherë edhe me të vjellura” tha Zeqiri për “Gazeta Blic”.

Mjekja Zeqiri dha disa këshilla se si duhet të mbrohemi nga gripi sezonal duke dilluar nga larja e shpeshtë e duarve me ujë të ngrohtë dhe sapun, shmangia e kontaktit me personat e infektuar dhe dezenfektimi i hapësirave.

“Duke u nisur nga ajo sepse bartja apo përhapja e virusit nga një person tek një person tjetër është shumë e lehtë, atëherë edhe masat parandaluese duhet të merren kryesisht me larjen e duarve sa më shpesh me ujë të ngrohtë dhe sapun për shkak se virusi i gripit përhapet përmes kollitjes apo tështitjes dhe ato spërklat respiratore dalin në ajër dhe mundet me u bartë tek personat të cilat janë afër apo qëndrojnë në të njëjtin ambient. Larja sa më e shpeshtë e duarve me ujë e sapun është një metodë që parandalon përhapjen e virusit, ajrosja e dhomave apo hapësira ku qëndrojmë, dezenfektimi i hapësirave, shmangia e kontaktit duar më duar me personat të cilët janë të infektuar me virusin e gripit si dhe metoda më e artë është vaksinimi. Natyrisht se vaksinimi nuk mbron 100% mirëpo personat të cilët janë të vaksinuar edhe nëse infektohen do të kenë simptoma më të lehta dhe i kalojnë më lehtë”

Kryeshefja e QKMF-së, Vjollca Zeqiri, konfirmoi se deri tani janë administruar rreth 11 mijë vaksina kundër gripit.

“Deri më tani kemi rreth 11 mijë vaksina të cilat janë të administruara, kryesisht e kemi grup-moshën nga 60 e sipër dhe ata kryesisht personat të cilët kanë ndonjë problem kronik si diabet apo hipertension sepse këta janë edhe më të ndjeshëm. Kemi edhe fëmijë por fatkeqësisht fëmijët dhe gratë shtatzëna janë më pak krahasuar me moshat më të vjetra” deklaroi kryeshefja e QKMF-së, Prishtinë, Vjollca Zeqiri.

/Gazeta Blic/