Lajme

Estonezi pritet të jetë raportues i Parlamentit Evropian për Kosovën, Vuçiq: E çuditshme

10/22/2024 16:17
nga:G B

Eurodeputeti estonez nga Partia Popullore Evropiane (PPE), Riho Terras, pritet të emërohet raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Për emërimin e tij në këtë post duhet të pajohet grupi i PPE-së në Komisionin për politikë të jashtme.

Rreth mundësisë që estonezi të merr postin e raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, Terras ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duke deklaruar se është e çuditshme që shumë zyrtarë evropianë vijnë nga shteti i Estonisë, raporton N1.

“Ju e dini që Kaja Kallas është shefe e Sigurisë dhe Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. Njeriu kryesor është Matthias Masikas gjithashtu nga Estonia. Si raportues për Kosovën në PE, siç dëgjoj, do të jetë sërish estonez (Riho Terras, eurodeputet i Partisë Popullore Evropiane (EPP). Estonezi është shef i zyrës së komisionit të lartë në Kosovë. Sërish estonez, shumë e çuditshme. Neve na dhanë një kroat. Faleminderit shumë! Problemi nuk është tek kroati, por tek qëndrimet e tij”, tha Vuçiq.

Nga viti 2019 deri në vitin 2024, në këtë pozitë ka shërbyer eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, ndërsa për pesë vjetët e ardhshme, raportues për Kosovën në legjislativin e ri evropian pritet të jetë eurodeputeti estonez, i cili ka qenë shef i shtabit të mbrojtjes së Estonisë. Ai po ashtu ka qenë pjesë e përbërjes paraprake të PE-së.

Raportues për Shqipërinë në PE do të jetë eurodeputeti austriak, Andreas Schieder, anëtar i grupit të socialdemokratëve evropianë, kurse eurodeputeti socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Picula, do të jetë raportues për Serbinë. Raportues për Malin e Zi në PE do të jetë eurodeputeti slloven, Marjan Sharec, pjesë e grupit të liberalëve.

Ndryshe, raportuesit e PE-së janë përgjegjës për hartimin e raporteve të përvjetshme mbi situatën në vendet kandidate apo vendet që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian (BE). Përmes këtyre raporteve do të vlerësohet përparimi i këtyre shteteve në procesin e reformave dhe përmbushjes së kritereve për integrim në BE.

Partia Popullore Evropiane mori pozitat e raportuesve për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën.