Lajme

‘Eskursioni’ i Vjosa Osmanit në komuna, analistët: Asgjë më shumë përveçse marketing politik

06/02/2022 19:37
nga:Genita C

Vizitat e Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani në komuna të cilat i kishte ndërprerë shkaku i vizitave jashtë vendit, po shihen si marketing politik.

Kështu ka deklaruar analisti politik, Arton Demhasaj i cili për GazetaBlic tha se vizitat e Vjosa Osmanit nuk kanë asnjë efekt pozitiv dhe po bëhen vetëm për formalitet.

“Është thjeshtë sa për formalitet sepse Presidenca apo në këtë rast Presidentja nuk është se ka ndonjë kompetencë apo ndonjë buxhet të caktuar që në vizitat e komunave, të invenstojnë nëpër projekte të ndryshme”, tha ai.

Demhasaj nuk e përjashton faktin që këto vizita nga presidentja mund të kenë tendencë për rritjen e popullizmit.

“Duke u bazuar tek kjo, mendoj që vizitat e Osmanit mund të jenë një lloj i tendencës për rritjen e popullizmit, në këtë rast mund të merret parasysh se presidentja viziton komunat vetëm të dëgjoj hallet e zyrtarëve të komunave apo të qytetarëve, përndryshe nuk ka asnjë efekt ekzekutiv dhe nuk mundet të prodhojë asgjë nga këto vizita”, përfundoi Demhasaj.

Ndërsa analisti politik, Gazmir Raci vizitat e Osmanit i përshkruan si aktivitet interesant.

Raci për GazetaBlic thotë se, është një gjë e mirë që presidentja e Kosovës po qëndron afër qytetarëve, pasi sipas tij Osmani ka një simpati të madhe nga qytetarët e Kosovës.

Raci thotë se edhe nëse presidentja nuk do të dilte në vizita, përsëri do të kishte kritikat të ndryshme.

“Mos me dal, njerëzit pyesin pse nuk po del presidentja për t’i takuar qytetarët. Unë konsideroj se është një aktivitet interesant që po i takon komunat, madje edhe komunat që në udhëheqjen e tyre ka pas dallime politike. Është mirë që presidentja të jetë sa më afër qytetarëve dhe natyrisht që secili lider që afrohet më afër qytetarëve, është një gjë pozitive. Në anën tjetër, nëse zyrtarët politik nuk dalin përtej zyreve kemi reagime të ndryshme: Jo s’po dalin, e kanë kontaktin me qytetarët, etj. Nuk duhet harruar fakti që presidentja ka qenë shumë e votuar në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe ka një simpati nga qytetarët e Kosovës “, tha Raci për GazetaBlic.

Njohësja tjetër e çështjeve politike, Shqipe Pantina ka komentuar këto vizita të Osmanit për efektin e të cilave thotë se varet nga agjenda e tyre por, sidoqoftë ky gjest i presidentes sipas Pantinës është për t’u përshëndetur.

“Është mirë që presidentja shkon në qytete të ndryshme të Kosovës për t’i vizituar por, nëse kanë efekt ose e kundërta, varet nga agjenda e atyre vizitave. Ndonëse Osmani nuk ka kompetenca të cilat lidhen direkt me punën e vizitave, megjithatë është një gjest për t’u përshëndetur”, thotë ajo.

Pantina për GazetaBlic tha se, Vjosa Osmani nuk duhet të merret vetëm me komuna por, edhe vizitat tek instiucionet dhe organizatat joqeveritare do të merreshin në aspektin pozitiv.

“Vizitat e Osmanit përçojnë një mesazh barazie dhe me këtë frymë do të ishte edhe më mirë që të vizitonte jo vetëm institucionet e nivelit lokal por, të vizitonte sa më shumë edhe organizata joqeveritare apo grupe që përfaqësojnë komuntitetet”, tha Pantina./GazetaBlic/