Ish-hetuesi policor, Muhamet Mujaj, ka shprehur shqetësimin për përkeqësimin e sigurisë në Kosovë, duke kritikuar institucionet për mungesën e përgjegjësisë dhe dështimin në parandalimin e kriminalitetit.
Në një intervistë për emisionin FIVE, Mujaj ka theksuar se ngjarjet e fundit kriminale janë tejet shqetësuese dhe se institucionet duhet të reagojnë menjëherë.
“Tri vrasje, një vetëvrasje, tentim vrasje, lëndime trupore, therje me thikë – vetëm për tri ditë i kemi pasur këto raste. Është e turpshme që asnjë institucion nuk merr përgjegjësi dhe askush nuk ka dhënë dorëheqje. Kjo është pasiguri për jetën e qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Mujaj ka kërkuar që Këshilli i Sigurisë dhe të gjitha institucionet përkatëse të ulen urgjentisht për të diskutuar strategjitë dhe politikat kundër kriminalitetit, të cilat sipas tij, kanë dështuar plotësisht.
“Deklaratat bëhen në fillim, por pastaj rastet harrohen dhe po përsëriten gjatë gjithë vitit. Për një popullsi kaq të vogël si e jona, kjo situatë është jashtëzakonisht shqetësuese”, ka shtuar ai.
Po ashtu, edhe eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, ka deklaruar se Këshilli i Sigurisë së Kosovës duhet ta ketë prioritet këtë çështje sa më shpejt që të jetë e mundur.