Faton Fetahu, avokat i PDK-së ka thënë se është “tragjike” kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e njeh Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Fetahu në “Debat Plus” në Televizionin Dukagjini u shpreh se pesë vitet e fundit sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese janë rritur dhe kryesisht janë nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk është tragjike që Albin Kurti të mos e njeh sistemin kushtetues-Kushtetutën. Por është tragjike që kryeministri I Kosovës, Albin Kurti nuk e njeh Kushtetutën. Por fakti që është kryeministër dhe nuk e njeh kushtetutën dhe më tepër e sulmon në mënyrë të vazhdueshme sistemin kushtetues dhe Gjykatën Kushtetuese si institucion i specializuar I gjykimit kushtetues, bartëse e rolit vendimtar sa i përket interpretimit kushtetues dhe balancimit mes pushtetitt dhe sigurimit të pushtetit po e bën punën e tyre në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”, deklaroi Fetahu.
Fetahu shtoi se qytetarët e vendit kanë rritur besimin për punonjësit e Gjykatës Kushtetuese.
“Sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese janë rritur për 5 vitet e fundit janë kryesisht nga Vetëvendosje, çuditërisht qytetarët kanë rritur besimin dhe vlerësimin për përbërjen e kësaj Gjykate. Që nënkupton punonjësit e kësaj Gjykate edhe të njohur publikisht por edhe stafi po bën punë të mire”, tha Fetahu.
Kadri Kryeziu, ish-Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar se Institucioni i Gjykatës Kushtetuese është institucioni më i respektuar në rajon dhe në vend. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese është e paanshme.
“Gjykata Kushtetuese është një prej institucioneve më të respektuar në rajon dhe Kosovë. Arsyeja është e ndërtuar me kapacitete intelektuale jo vetëm vendore por edhe ndërkombëtare, respektivisht amerikane. Gjykatë Kushtetuese asnjëherë nuk mundet me qenë e anshme, është element shumë thelbësor sepse aty janë 9 gjyqtar. Gjykata Kushtetuese është e paanshme”, deklaroi Kryeziu.
Kryeziu shtoi se “Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetenca për ti rregulluar ligjet”.