Meliza Haradinaj-Stubulla, ish ministre e jashtme e Kosovës, thotë se çështja e targave është situatë mjaft fragjile.
Në një intervistë për Gazeta Blic, ajo shprehet se qeveria përderisa nuk e shtyn afatin, duhet të përgatitet dhe të koordinohet me KFOR-in që të mos lejohet tensionimi i situatës.
“Unë mendoj se meqenëse Qeveria po deklaron se nuk do të ketë shtyrje të afatit e që sipas meje është gabim, pasi besoj se do të mund t’ia falnin këtë mirëbesim aleatëve, por meqenëse ka një përgjigje negative, atëherë ata do të mund t’i bënin përgatitjet e nevojshme në terren, pasi në veri situata e sigurisë është e brishtë dhe të koordinohen me KFOR-in, KFOR-in amerikan në radhë të parë dhe gjithë QUINT-it dhe të mos lejojnë vendosjen e barrikadave e aq më pak edhe tensionimin e situatës”, thotë ajo për Gazeta Blic.


