Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës Blerim Syla ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se është mirë që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, njësoj siç kanë ndodhur ndryshime në politikë.
Syla në Kanal 10, tha se një rrugë e tillë e çon vendin drejt diktaturës dhe rrezikon demokracinë në Kosovë.
“Kemi të bëjmë me një përzierje direkte të qeverisë dhe rrezikim të demokracisë. Kam frikë se një rrugë e tillë na çon drejt diktaturës dhe është një tendencë e kapjes së sindikatave”, tha Syla duke shtuar se për ndryshimet në udhëheqjet sindikale vendosin punëtorët.
Sipas tij, sindikatat po kërkojnë miratimin e Ligjit të pagave dhe rritjen e mirëqenies së punëtorëve shëndetësorë.
“Është shumë e çuditshme, sindikatat po lypin ligj e kryeministri po lyp anarki”, u shpreh Syla.
Ndryshe, Kurti dje në një konferencë për media, i pyetur për grevat që janë duke u mbajtur nga Sindikata e Shëndetësisë dhe disa sindikata të tjera sa i përket Ligjit për Paga, ka thënë se “uron të ketë gjithandej ndryshime, siç po bëhen ndryshime në politikë”.
“Unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin, apo kudo që ata janë”, deklaroi Kurti.