Lajme

“Është konfidenciale” – Avokati Tomë Gashi nuk tregon se çfarë deklaroi Martin Berishaj në Prokurori

03/29/2024 15:54
nga:Sh R

Avokati i Martin Berishajt, Tomë Gashi, ka thënë se klienti i tij që prej datës 27 janar të vitit 2023 kishte bërë kërkesë që të japë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Ai bëri të ditur se tashmë ambasadori Berishaj ka dhënë deklaratë por ajo, sipas tij, është konfidenciale.

“Martin Berishaj qysh më 27.01.2023 ka paraqit kërkesë për të dhënë deklarate sqaruese në Prokurorinë Speciale te Republikës se Kosovës, lidhur me pretendimet qe kanë dalë në media. Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale”, tha ai.

“Unë për shkak te kësaj situate si avokat i Martinit nuk mund të ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate”, vijoi Gashi.

Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, është u intervistua nga Prokuroria e Speciale në Prishtinë. Ky intervistim vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën, është raportuar gjerësisht në medie.

Në mediumet sllovene, në prill të vitit të kaluar, ishte raportuar se politikani slloven Robert Golob ka bërë transaksione nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-i, për te kompania e Berishajt, MB Consulting. E nga kompania e Berishajt janë nxjerrë më pas gradualisht 600 mijë euro para të gatshme që dyshohet se i janë kthyer Golobit.

Berishaj ka insistuar se është i pafajshëm, derisa ndaj tij nuk morën masa as ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e as presidentja Vjosa Osmani.

Ndërkaq, Opozita vazhdimisht ka insistuar që ambasadori Berishaj duhet të shkarkohet.