Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Gjakova, Ardian Gola, është deklaruar pas vendimit të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, se nuk do të ketë autostradë të Dukagjinit por vetëm zgjerim të rrugës.
Gola në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se është totalisht ‘bizare’ të mendohet mos me u lidh ajo pjesë.
Tutje deputeti Gola tha se nga informacionet që ai posedon, është edhe një ide, për lidhjen e Gjakovës me Malësinë.
“Unë jam pro investimit për atë zonë. Duhet të krijohen lidhje gjithnjë e më mëdhaja infrastrukturore që e lidhin dhe atë pjesë me autostradën kyqe. Përndryshe unë e di që ka edhe një ide por që ende nuk është zhvillu sa duhet, por mesa di unë është duke u punuar për me e konkretizu si ide për lidhjen e Gjakovës me Malësinë. Eshtë totalisht bizare me mendu mos me u lidh ajo pjesë” tha Gola në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”

Deputet i LVV-së
Ndërsa deputetja Mirlinda Tishukaj-Sadiku e lindur në Deçan tha se asnjëherë nuk kanë qenë kundër investimeve, por për projektin konkret ende nuk ka një përgjigje pro apo kundër.
Sadiku tha se ministri Aliu deklaratën e ka bazu në bazë të hulumtimeve që ka ba dikasteri që ai drejton.
“Nuk mund të them nëse jam kundër ose pro, asnjëherë nuk kemi qenë kundër investimeve. Mirëpo duhet me parapa sa është buxheti, pa patur një hulumtim të fizibilitetit, pa ditur se nga do të kalojë. Unë e di që ministri Aliu e ka bazu deklaratën në bazë të hulumtimeve apo një kërkim që është bërë nga ministria e tij” tha Tishukaj-Sadiku për “Gazeta Blic”

Deputete e LVV-së
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar dje nuk do të ketë autostradë të Dukagjinit por vetëm zgjerim të rrugës.
“Tash jemi duke punuar intensivisht, mungesat, problemet e vitit 2022, janë duke u rikuperuar, dhe besoj që kjo është situata. Nuk mund të bëjmë më tepër për pjesën e Dukagjinit, përpos që kemi filluar projektin e zgjerimit të rrugës nga Istogu, përpos që mund ta bëjmë rrugën e Pejës, që të punojmë për pjesën e Gjakovës…nuk do të ketë autostradë, do të ketë zgjerim të rrugës”, theksoi Aliu, raporton Gazeta Blic”
Ndërtimi i autostradës së Dukagjinit ka qenë projekt i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
/Gazeta Blic/
Aliu: Nuk do të ketë autostradë të Dukagjinit


