Lajme

“Është absurde, nuk ka sinqeritet politik nga BE për sulmin e Banjskës dhe sanksionimin e Serbisë”

06/30/2024 21:51
nga:G B

Janë bërë 9 muaj nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, por ndaj Serbisë nuk është marrë asnjë masë e Milan Radojiçiq është ende i lirë.

E, së fundi, Bashkimi Evropian tha se nuk është bërë hetim i plotë dhe s’ka pasur masa ndaj Serbisë, pasi Kosova s’ka dërguar raport të plotë lidhur me sulmin.

Këtë e kundërshtuan nga Qeveria e Kosovës, derisa thanë se i kanë dërguar BE-së raportin prej 48-faqësh.

Lidhur me këtë, analisti Blerim Burjani, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se dikush po luan me këtë lojë dhe është e çuditshme që të ketë deklarata të tilla.

“Dikush po luan me këtë temë, pra është lojë politike, jo transparencë, por gjithsesi është gjendje jashtëzakonisht e çuditshme, Kosova thotë se i është dërguar raporti, ndërsa BE thotë se nuk ka raport ende. Kjo situatë është komike dhe absurde, ose është dërguar raport për Banjskën nga Kosova ose jo? Pra, dikush po bën hajgare ose po gënjen. Motivet e sjelljes së tillë janë për shkak se nuk do si BE që të merren me Serbinë në kuptimin e prishësit dhe tentuesit për të sulmuar Kosovën”, shprehet ai.

Sipas Burjanit, sulmi i tillë ka ndodhur nga disa grupe të planifikuara nga qeveria serbe, ndërsa që BE nuk është e sinqertë lidhur me sulmin dhe sanksionimin e Serbisë.

“Një sulm i tillë ka ndodhur nga disa grupe të planifikuara nga qeveria serbe, me vite kanë mbledhur armë nëpër kisha dhe spitale në vendet ku jetojnë serbët, pra asgjë nuk ka qenë e rastit por e profesionistëve serbë, për të eskaluar deri në një masë gjendjen dhe të përfitojnë politikisht, kjo dështoi, normal këtë e ka përcjellë KFOR-i dhe shërbimet inteligjente të KFOR-it dhe e kanë ditur plotësisht ku janë këto armë dhe Njësia Speciale e Kosovës e ka kryer këtë punë deri në fund dhe ende po mbledh armë. Nuk ka sinqeritet politik në BE për çështjen e Banjskës dhe sanksionimin e Serbisë, nuk kam pritur se çështja e Banjskës nuk është e kësaj kohe të zbardhet dhe të fajësohet Serbia por trendi ndërkombëtar i dialogut çon në drejtim të rregullimit juridik të neklavave serbe përmes asociacionit”, deklaron Blerim Burjani./Gazeta Blic/