Lajme

Escobar tregon kushtet e SHBA-së për të mbështetur Ballkanin e Hapur

01/12/2022 19:43
nga:Gazeta Blic

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dy kushte për të përkrahur nismën “Ballkani i Hapur”.

Escobar u shpreh se kjo nismë duhet të jetë e hapur për të gjithë dhe të ndiqen standarde dhe institucionet e duhura.

“Dhe ky është kushti me të cilin ne e mbështesim: Së pari që të plotësojë standardet e Berlinit që ka vendosur Bashkimi Evropian. Dhe së dyti që të jetë i hapur për të gjitha vendet Dhe praktikisht nuk funksionon pa të gjitha vendet. Nuk mund të ndërpriten tubacionet, nuk mund të ndërpriten autostradat. Nuk mund të kesh një zonë të tregtisë së lirë nëse të duhet të ndalosh diku në mes të rrugës dhe të kesh kamionë që presin në radhë për pesë orë, kështu që nisma duhet t’i përfshijë të gjitha vendet në mënyrë që standardet të jenë evropiane sepse në fund të fundit, për të pasur një zonë të tregtisë së lirë, duhet të kesh institucione që të mund t’i menaxhojnë mallrat dhe paratë në mënyrë efektive”, tha Escobar.

Në intervistën për Zërin e Amerikës Escobar foli edhe për rolin që do të luajë Uashingtoni në bisedimet Kosovë-Serbi, si edhe për shpresat për integrimin evropian të rajonit.

“Ne po e fillojmë këtë vit të ri me energji të ripërtërira dhe me një theks të ri për funksionimin e dialogut. Së shpejti do të bëj një udhëtim në rajon, së bashku me zotin Lajçak për të sinjalizuar mbështetjen tonë për dialogun dhe për të shfaqur angazhimin tonë në drejtim të funksionimit të dialogut. Është një dialog i udhëhequr nga BE-ja, por ne e mbështesim fuqimisht. Dhe unë shpresoj se do të bëjmë përparim”, tha ndër të tjera ai.

Ai dënoi dhunën e fundjavës së kaluar në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe tha se ajo nuk mund të jetë mjet për marrjen nën kontroll të një partie politike.

Escobar u shpreh se mbështetja në protesta në rrugë nuk do të thotë domosdoshmërisht mbështetje e elektoratit dhe rikonfirmoi se ka marrëdhënie të mira me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

INTERVISTA E PLOTË.