Lajme

Escobar për “non-grata” të Berishës: E bëmë për shkak të korrupsionit

10/25/2022 19:22
nga:G B

Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, ka folur për shpalljen “non-grata”  të kryetarit të PD-së, Sali berisha.

Ai tha se vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional dhe se nuk ishte individual e as politik.

Escobar tha se deri te vendimi për shpallje “non-grata” të Berishës erdhi për shkak të korrupsionit që ShBA gjeti.

“Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”, është shprehur Escobar, shkruan Zëri i Amerikës.

Më tej, Escobar foli edhe për marrëdhëniet mes ShBA-së e Shqipërisë, për të cilat tha se shteti shqiptar është bërë një partner shumë i besueshëm për Amerikën.

“Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë. Tani që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global. Pra është e rëndësishme që të vazhdojmë të bashkërendojmë qëndrimet tona”, është shprehur Escobar.