Lajme

Escobar “godet” Kurtin: Lajçak nuk largohet, jam alarmuar nga sulmet personale ndaj tij – qeveria ta dijë se janë të papranueshme

09/21/2023 08:33
nga:G B

Emisari special i SHBA-ve, Gabriel Escobar, ka komentuar akuzat e kryeministrit Kurti ndaj Miroslav Lajçak.

Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se Lajçak ka besim të plotë nga BE e SHBA dhe se nuk do të largohet, duke shtuar se për ta bërë këtë një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij.

“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës”, u shpreh ai.

Ai është shprehur i alarmuar nga sulmet siç thotë personale ndaj Lajçakut dhe ka kërkuar nga Osmani e Kurti që t’i dënojnë ato.

“Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, ka deklaruar Gabriel Escobar./Gazeta Blic/

Escobar – Qeverisë: E ka marrë dialogun vetëm me “po-jo”, një vend prej 1 milion e gjysmë s’na bind t’i ndryshojmë taktikat

Deputeti i VV-së: Asociacioni s’mund të shndërrohet në parakusht, pres nga BE masa për Serbinë