Lajme

Escobar: Është e mundshme që marrëveshja të hap rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Partneritetin për Paqe

03/17/2023 20:14
nga:Astrit Gashi

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në intervistën për RTV21 theksoi se përkundër faktit se pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën, theksoi se nuk do të thoshte se ato pesë shtete kundërshtojnë fuqishëm njohjen e Kosovës, përcjellë GazetaBlic.

“Në Bashkimin Evropian nuk do të përdorja fjalën ‘kundërshtojnë fuqishëm’. Do të thosha se janë ‘vëmendshëm të interesuar’ se çka do të ndodhë nesër. Ne jemi angazhuar me vendet e Bashkimit Evropian gjerësisht, përfshirë edhe me pese shtetet mos-njohëse, dhe do të thosha që të gjitha vendet e Evropës e kuptojnë rëndësinë e ditës së nesërme. Përfshirë Spanjën. Por, më duhet të qartësoj: e kuptojnë se dita e nesërme është historike, por nuk janë shprehur se çka do të bëjnë nëse dështon apo ka sukses. Kjo është bisedë që duam ta bëjmë së bashku me qeverinë e Kosovës”, tha Escobar.

I pyetur se a mund të llogaris Kosova në anëtarësimin e saj në NATO dhe në Partneritetin për Paqe me këtë marrëveshje, Escobar theksoi se kjo është tejet e mundshme.

“Mendoj se kjo absolutisht e mundshme. Tani, qëndrimi ynë gjithmonë ka qenë dhe ne jemi mbështetësit tuaj më të fuqishëm ndërkombëtar – ne duam që të jeni anëtare e Kombeve të Bashkuara, anëtare e NATO-s, anëtare e Bashkimit Evropian, si dhe e çdo organizate ndërkombëtare ku dëshironi të anëtarësoheni. Kjo marrëveshje nuk është e tillë, por i hap dyert për tërë to. Sa i përket marrëveshjes: çka është e rëndësishme nuk është aq shumë çka është shkruar në letër, por trajektorja e marrëdhënies ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Pra, po, ky nuk do të jetë fundi i krijimit të një marrëdhënieje të qëndrueshme, paqësore dhe produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, nuk është fundi i zhvillimeve, i zhvillimeve politike dhe pajtimit të rajonit si i tërë. Është hap i rëndësishëm, të cilin mendoj njerëzit nuk duhet ta humbasin, por ne do të vazhdojmë të investojmë në përpjekjet politike dhe ekonomike për të vënë përpara premtimin se çka është Ballkani Perëndimor.
Dhe dëshiroj t’jua përkujtoj se qeveria amerikane nuk e konsideron rrezik Ballkanin Perëndimor, por mundësi. Veçoria përkufizuese e këtij rajoni është mundësitë e forta ekonomike që janë kapitali njerëzor dhe kapitali tjetër që e bëjnë atë pjesën me rritjen më të shpejtë të Evropës. Pra, kjo është pjesë me çka ka të bëjë kjo: kjo ka të bëjë me çbllokimin e atij potenciali që bota ta kuptojë kush jeni njëmend ju: një shoqëri e gjallërishme shumetnike e jo shoqëri që nuk mund të jetojë me njëra-tjetrën, që është e prirur për dhunë dhe që ende është rajon i pashpresë politik. Kjo nuk është çka jeni dhe ky është sinjali më i madh që mund t’ia dërgoni tani botës se mund të jeni pjesëtarë produktivë dhe paqësor të familjes evropiane”, tha Escobar.

I pyetur se a ka hequr SHBA-ja dorë nga ideja për të pasur njohje reciproke, Escobar tha se jo aspak.

“Jo, jo, aspak. Në fakt, është qëndrimi ynë se të gjitha vendet e rajonit do të duhej ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie paqësore, produktive dhe të qëndrueshme me njëra-tjetrën”, u përgjigj Escobar.