Analisti politik Gazmir Raci duke komentuar vizitën e paralajmëruar për ditën e nesërme të Emisarit amerikan Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak në Prishtinë, thotë se marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen ashtu siç janë dakorduar më herët dhe se nuk duhet hapur asnjëra nga to, pasi që sipas tij, hyjmë në një fazë precedani dhe Serbia është e njohur për të hapur çdo gjë.
Ai në një prononcim për GazetaBlic vlerëson se Kosova konform Kushtetutës duhet të jetë bashkëpunuese me faktorin ndërkombëtar.
“Është mirë që tashmë kryenegociatorët amerikano-evropian janë në shuttle diplomacy për të afruar qëndrimet e palëve nga takimi i fundit. Kosova tani konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit duhet të jetë bashkëpunuese me faktorin ndërkombëtarë. Marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen ashtu siç janë dakorduar më herët dhe nuk duhet hapur asnjëra nga to sepse hyjmë në një fazë precedani dhe Serbia është e njohur për të hapur çdo gjë edhe pse është pajtuar vetëm për të blerë kohë gjoja është konstruktive në dialog”, thotë ai.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së bashku me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak nesër do të qëndrojnë për vizitë në Prishtinë.


