KF Drenica ka marrë një fitore masive në vikend ndaj Vëllaznimit, pasi mposhti gjakovarët me rezultatin 2-0, duke blinduar kështu pozitën e parë në renditjen tabelare në Ligën e Parë, grupi A.
Ermal Veliqi, futbollisti i Drenicës shprehet shumë i lumtur me ecurinë e ekipit të tij, Drenicës në sezonin 2024/25, duke theksuar faktin që s’kanë ende humbje sivjet.
“Natyrisht jam shumë i lumtur për ecurinë pozitive të ekipit, ku e dimë që jemi 11 ndeshje pa humbje dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu deri në fund”, tha fillimisht Veliqi për ‘GazetaBlic Sport’.
Fitorja 2-0 ndaj Vëllaznimit ishte shumë e rëndësishme sipas Veliqit, teksa thotë se synimi i tyre do jetë titulli kampion, por për këtë nuk po mendojnë momentalisht.
“Fitorja ishe e rëndsishme, sepse na rikthente në vendin e parë, por ka ende shumë lojë dhe është herët me fol për titull kampion. Normal që vendi i parë është synim – por ne ndeshjet i kemi marrë një nga një dhe po mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës asgjë më shumë”, vazhdoi Veliqi.
Në fund ai potencoi edhe punën e madhe që trajneri i ri Bylbyl Sokoli po bën tek ekipi nga Skenderaj.
“Puna me Bylbyl Sokolin po ecën shumë mirë, sepse ka sjellë në ekip një frymë dhe një mentalitet të fortë fituesi. Dita-ditës po fillojmë me kap lojën që e kërkon trajneri. Normal kemi m’u rrit si ekip po edhe individualisht do jemi të gatshëm për sfida më të mëdha në jetë, siç eshte dalja në Europë. Personalisht po mundohem me kuptu çdo fjalë dhe gjithçka çka thotë “Profa”, sepse e di qe ai ka prodhuar lojtarë për Evropë e kombëtare”, përfundoi Veliqi.
Pas 11 xhirosh, Drenica ndodhet në vendin e parë me 25 pikë – tri më shumë se ndjekësi më i afërt, Vëllaznimi.
/GazetaBlic Sport