Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar lidhur me situatën politike në vend dhe mosfunksionimin e Kuvendit të Kosovës.
Sadiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se certifikimi i zgjedhjeve është përfunduar më 8 korrik, ndërsa deputetët e zgjedhur ende nuk po lejohen të ushtrojnë mandatin e tyre.
“Certifikimi i zgjedhjeve është kryer më 8 korrik. Ne që jemi zgjedhur deputetë me votën e popullit, nuk po lejohemi të punojmë. Nuk po lejohemi të merremi me ligje, komisione, zhvillim dhe problemet reale të qytetarëve”, ka shkruar Sadiku.
Ai ka kritikuar edhe vazhdimin e ushtrimit të detyrës nga kryeministri në një situatë ku, sipas tij, Kuvendi nuk është funksional.
“Ndërkohë, Kurti vazhdon të jetë kryeministër, por pa Kuvend funksional, pa kontroll parlamentar dhe pa llogaridhënie”, ka deklaruar ai.
Sadiku e ka cilësuar këtë situatë si “kapjen më të madhe të shtetit” në historinë e Kosovës së pasluftës.
“Kjo është kapja më e madhe e shtetit që ka ndodhur në historinë e Kosovës së pasluftës. Kurti ka me u përgjigj për këtë”, ka shkruar ai.


