Lajme

Erdogan në takim me Kurtin: Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në çdo fushë

05/31/2024 17:04
nga:Y I

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në takimin e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, theksoi se janë fokusuar në rritjen e vëllimit të tregtisë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në mbi një miliard dollarë, e cila momentalisht është afër 750 milionë dollarë.

Presidenca turke ka publikuar një njoftim lidhur me takimin midis liderëve Erdogan dhe Kurti në Kompleksin Presidencial në Ankara, transmeton agjencia turke e lajmeve Anadolu.

Sipas njoftimit, në takim janë trajtuar çështjet si marrëdhëniet midis Turqisë dhe Kosovës, “sulmet e Izraelit në tokat palestineze”, si dhe çështjet rajonale dhe globale.

Presidenti i Turqisë Erdogan në takim ka theksuar se janë fokusuar në rritjen e vëllimit të tregtisë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në mbi një miliard dollarë, e cila momentalisht është afër 750 milionë dollarë, ndërsa ka potencial për të zhvilluar marrëdhëniet në shumë fusha, përfshirë në industrinë e mbrojtjes.

“Erdogan tha se mbështetja e Turqisë ndaj Kosovës do të vazhdojë në çdo fushë, se priten hapa nga Kosova, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe se është i mirëseardhur fillimi i zbutjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por se është e rëndësishme që të sigurohet progres konkret lidhur me këtë çështje. Presidenti Erdogan theksoi se duhet të rritet presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për të përfunduar masakrat që i kryen në Gaza, të jepet mbështetje ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe se Palestina duhet të mbështetet në mënyrë aktive”, thuhet në njoftimin e Presidencës turke.