Lajme

Erdogan në Laç: 522 apartamentet e reja kushtuan 42 milionë Euro, t’i gëzojnë përfituesit

01/17/2022 15:36
nga:Gazeta Blic

Presidenti i Turqisë Erdogan mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të 522 banesave të reja në qytetin e Laçit që u ndërtuan pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, me financime nga qeveria turke.

Erdogan pa nga afër këto banesa në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë nën shoqërinë e Kryeministrit Edi Rama.

Presidenti turk tha se 522 njësitë e reja që janë ndërtuar në Laç kanë kushtuar 42 milionë Euro, teksa ka uruar përfituesit që të gëzojnë banesat e reja.

Fjala e Presidentit turk Erdogan:

“Ju kam sjellë këtu të gjithë dashurinë e miliona zemrave dhe përshëndetjet e përzemërta të popullit të Turqisë. Ju kam sjellë edhe përshëndetjet e vëllezërve dhe miqve tuaj në Shqipëri. Nga këtu nëpërmjet jush dua të përcjell përshëndetjet e komnbit tim të nderuar për mbarë Shqipërinë.

Dua të theksoj faktin se jam shumë i lumtur që ndodhem këtu bashkë me ju me rastin e kësaj ceremonie dhe që jam bërë pjesë e këtyre emocioneve.

Gëzimi i Shqipërisë është gëzim ynë dhe hidhërimi i Shqipërisë është hidhërimi ynë. Kështu që mirëqenien dhe paqen tuaj e konsiderojmë të njëjtë si tonën. Duke qenë si një popull i një vendi që ka përjetuar dhimbje të ngjashme shumë herë më përpara, tërmetet në Shqipëri na lënduan zemrat tona.

Menjëherë jemi vënë në lëvizje për të ndarë dhimbjen e njerëzve të zonës. Ne si shtet duke u mobilizuar ju erdhëm në ndihmë. Vëllai i qëndron pranë vëllait kur ka nevojë dhe jo kur thirret. Pas tërmetit ne menjëherë kemi dërguar në Shqipëri të gjitha pajisjet e nevojshme të ndihmës së shpejtë dhe ekipe teknike nëpërmjet ambasadës. Duke qenë në kontakt me mikun tim me Kryeministrin Edi Rama kemi bërë të mundur ndjekjen nga afër të gjithë këtyre punimeve që sapo kishin filluar. Unë personalisht jam aktivizuar dhe morëm iniciativa që pëgjatë këtij procesi për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë filliuam kontaktet me komunitetin ndërkombëtar dhe organizatën e bashkëpunimit islamike.

Fakti që Turqia ishte një nga shtet e para që i erdhi në ndihmë Shqipërisë është një dëshmi e këtij solidariteti të fortë mes nesh. Për të lehtësuar dhimbjen e atyre familjeve të prekura, ne morëm vendim duke firmosur dhe një memorandum mirëkuptimi që banesat të cilat ishin të rrënuara nga tërmeti të rindërtoheshin nga zero. Në muajin Korrik 2020 sapo nënshkruam memorandumin filluam menjëherë edhe pse kishte shpërthyer koronavirusi. Para 13 muajsh në këtë vend ku jemi sot bëmë ceremoninë e hedhjes së themeleve të banesave. Dhe sot po i dorëzojmë këto banesa që janë 522 njësi banimi që kaënë kushtuar afërsisht 42 milionë Euro.

Që në këto momente dua t’ju uroj të gjithë përfituesve t’i gëzoni këto banesa. Falenderoj të madhin Zot që edhe gjatë këtij procesi që Turqia u sprovua me shumë fatkeqësi natyrore, ne përsëri arritëm të përmbajmë premtimin tonë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Tani po theksoj një gjë: shenja e vëllazërisë nuk është kur ti të vish kur të thërrasin por të qëndrosh pranë vëllait tënd kur ai ka nevojë dhe tani ne do vazhdojmë t’ju qëndrojmë pranë. Shpresoj që kjo miqësi me baza të forta do të vazhdojë deri në pafundësi”./Tv Klan