Lajme

Erdogan bën thirrje për unitet, ndërsa fillon mandatin e ri

06/03/2023 23:12
nga:Astrit Gashi

Presidenti Recep Tayyip Erdogan u bëri thirrje turqve të lënë mënjanë ndasitë dhe të përqendrohen tek e ardhmja, ndërsa filloi mandatin e ri pesëvjeçar të shtunën.

Zoti Erdogan u betua në një ceremoni në parlament në Ankara dhe do të emërojë në vazhdim kabinetin e ri qeveritar, përbërja e të cilit pritet të sinjalizojë një ndryshim të mundshëm të drejtimit të politikave ekonomike, përfshirë dhënien fund të epokës me norma të ulëta interesi. Në ceremoninë e inaugurimit në pallatin presidencial, zoti Erdogan përdori tone pajtuese.

“Do t’i përqafojmë të gjithë 85 milionë njerëzit pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike… Le ta lëmë mënjanë mërinë e periudhës elektorale. Le të kërkojmë mënyrat për të bashkëjetuar”, tha ai. “Së bashku, duhet të shohim përpara, të përqendrohemi tek e ardhmja dhe të përpiqemi të themi gjëra të reja. Duhet të përpiqemi ta ndërtojmë të ardhmen duke mësuar nga gabimet e së shkuarës”.

Në ceremoni merrnin pjesë zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Presidentin venezuelian Nicolas Maduro, Kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe Kryeministrin armen Nikol Pashinyan.

Më herët, ndërsa bëri betimin në detyrë, zoti Erdogan u zotua të mbrojë pavarësinë dhe integritetin e Turqisë, t’i përmbahet kushtetutës dhe të ndjekë parimet e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të republikës moderne laike.

Tashmë udhëheqësi më afatgjatë i Turqisë, zoti Erdogan fitoi 52.2% të mbështetjes në balotazhin e 28 majit. Fitorja e tij në zgjedhje sfidoi shumicën e anketimeve të opinionit publik dhe u arrit megjithë krizën e rritjes së kostove të jetesës që mendohej se do të dëmtonte shanset e tij.

Mandati i tij i ri do t’i mundësojë zotit Erdogan të ndjekë politikat gjithnjë e më autoritare që kanë polarizuar Turqinë, një vend anëtar i NATO-s, por që kanë forcuar pozicionin e këtij vendi si një fuqi rajonale ushtarake.

Zoti Erdogan do të emërojë të shtunën anëtarët e kabinetit të tij të ri qeveritar, duke krijuar ndoshta kushtet për përqasjen e tij të pazakontë ndaj politikave ekonomike.

Ndër anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar pritet të jetë ish drejtuesi i ekonomisë Mehmet Simsek, raportoi më herët këtë javë agjencia e lajmeve Reuters, duke sinjalizuar kështu një rikthim të mundshëm tek politikat më klasike makroekonomike, përfshirë rritjet e mundshme të normave të interesit.

Zoti Simsek kishte një reputacion të mirë në radhët e investitorëve kur shërbente në detyrën e ministrit të financave dhe zëvendëskryeministrit, në periudhën mes viteve 2009 dhe 2018. Emërimi i tij në një post kyç do të shënonte largimin nga periudha e viteve të mbajtjes së normave të ulëta të interesit megjithë inflacionin e lartë dhe të kontrollit të madh shtetëror ndaj tregjeve.

69-vjeçari Erdogan, u bë kryeministër në vitin 2003, pasi partia e tij AK fitoi zgjedhjet në fund të vitit 2002, pas krizës më të rëndë ekonomike të Turqisë që nga vitet 1970.

Në vitin 2014, ai u bë presidenti i parë i vendit i zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë nga populli dhe u rizgjodh sërish në vitin 2018 pasi siguroi pushtet të zgjeruar ekzekutiv për presidencën nëpërmjet një referendumi në vitin 2017.

Zgjedhjet presidenciale të 14 majit dhe balotazhi i 28 majit ishin jetike pasi opozita kishte patur vetëbesimin se do ta largonte nga pushteti zotin Erdogan dhe do të zhbënte shumë nga politikat e tij, përfshirë propozimin për rritje të ndjeshme të normave të interesit për t’iu kundërvënë inflacionit, që ishte në 44% në muajin prill.

Në fjalimin që mbajti pas fitores në zgjedhje, zoti Erdogan tha se inflacioni, që arriti vjet rekordin e 24 viteve të fundit në nivelin 85%, është çështja më urgjente për Turqinë. Analistët thanë se nëse vazhdojnë politikat e tanishme, ekonomia do të shkojë drejt paqëndrueshmërisë për shkak të harxhimit të rezervave në valutë, zgjerimit të një skeme të depozitave të mbështetura nga shteti, dhe pritshmërive për një inflacion jashtë kontrollit.

Monedha turke, lira, ka pësuar disa rënie të mëdha gjatë viteve të fundit dhe arriti nivelin më të ulët rekord gjatë ditëve përpara zgjedhjeve.