Lajme

“Enver Sekiraqa ma vrau djalin”, Shefqet Riza: Jam lodhë me këto Gjykata

1 vitë më parë
nga:G C

Babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza në një intervistë për GazetaBlic ka folur rreth procesit gjyqësor tash e 16 vite është duke u zvarritur.

Riza theksoi edhe njëherë se Enver Sekiraqa është vrasësi kryesor i djalit të tij, Triumfit, teksa e sheh si të pakuptimtë zvarritjen e këtij procesi.

“As unë nuk po e kuptojë, ne si familje jemi tepër të zhgënjyer. Në të vërtetë, jemi të lodhur me Gjykatat tona. Psh, kryekrimineli Enver Sekiraqa që dihet se është nxitës dhe drejtpërdrejt vrasës”, tha Riza.

“Kaq shumë me zgjat dhe me u kthy tri herë në rigjykim, kjo është komplet e pakuptimtë nga sistemi ynë gjyqësor. Ne jemi lodhë shumë, jemi lodhë tepër shumë me këto Gjykata, edhe shpeshherë po bëjë pyetje: A është ky problem vetëm i imi apo i mbarë shoqërisë. Meqenëse djali im nuk e ka dhënë jetën për çështje familjare, por pikërisht luftë me banda kriminele, shkak ky që u shpall edhe hero”, shtoi ai.

Riza tha se i pakuptimtë është edhe fakti që Gjykata shpall heronjë kriminelët.

“Çka na vynë të shpallet hero kur faktikisht është komplet e pakuptueshme qysh mundet Gjykata më shumë t’i vlerësojë kriminelët se sa një njeri që ka fliju jetën, që është shpall hero kundër krimit të organizuar. Kjo nuk është vetëm çështje e imja, Rexhep Boja patë thënë: Nuk paska qenë veç djali yt, por i gjithë Kosovës”, tha ai.

Riza komentoi edhe deponimin e 100 mijë eurove që Gjykata Themelore në Prishtinë i kërkoi Ilir Abdullahut, i dyshuari për vrasjen e Triumfit Rizës, si njëri nga kushtet për t’u liruar nga paraburgimi.

“Është skanaloze edhe ky vendimi i fundit, një njeri që 16 vjet fshihet herë këtu herë në Spanjë, një njeri që është marrë me gjithçka, arrestohet më në fund e lirohet më pas.Ai gjykatës që ka marrë këtë vendim me i pranu 100 mijë euro, duhet që para se me i pranu ato para ta dijnë nga e kanë prejardhjen. Totalisht jemi të zhgënjyer me Këshillin Gjyqësor”, tha Riza.

“Unë e kam ndërmend që me letër organeve më të larta të shtetit të ju drejtohem, sepse unë jam lodhë me këta. Nëse Gjykata i shpallë hero kriminelët këtu diçka nuk po funksionin mirë. Ne nuk po dimë, çka me bë”, përfundoi Riza për GazetaBlic.